Kapen 64.250 euro në “Tabanoc”

Drejtoria e Doganave njoftoi se në pikën kufitare “Tabanoc” është parandaluar një tentativë për transferim të paligjshëm të parave, ku gjatë kontrollit të një automjeti me targa gjermane, të drejtuar nga një shtetas grek, janë gjetur gjithsej 124.250 euro, përcjell TV21. Sipas Doganës, personi fillimisht kishte deklaruar 60 mijë euro, duke paraqitur edhe formularin e lëshuar në hyrje të Republikës së Serbisë. Pas një kontrolli të detajuar nga zyrtarët doganorë dhe një polic i Frontex-it, u zbuluan edhe 64.250 euro të padeklaruara.

“Për shkak të dyshimeve në deklaratën e dhënë, zyrtarët doganorë së bashku me një zyrtar policor të Frontex-it kryen kontroll të detajuar, gjatë të cilit u gjetën gjithsej 124.250 euro. Në përputhje me Ligjin për Operacionet Devizore, personit iu kthyen 60 mijë eurot e deklaruara, ndërsa pjesa tjetër u konfiskua dhe ndaj tij është ngritur procedurë kundërvajtëse para gjykatës kompetente”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Doganave.

Dogana bëri të ditur se gjatë këtij viti janë zbuluar 30 raste të transferimit të paligjshëm të valutës, me konfiskim të 820.675 eurove, 141.300 paundëve britanikë dhe 35 mijë dollarëve australianë.