Trajneri kosovar Petrit Merovci emërohet në krye të ekipit U18 të Hamburgut

Trajneri kosovar Petrit Merovci ka arritur një sukses të rëndësishëm në karrierën e tij, pasi është emëruar trajner i ekipit U18 të Hamburger SV, një prej klubeve më të njohura të futbollit gjerman, transmeton albinfo.ch.

Lajmi është bërë zyrtar nga vetë klubi gjerman përmes kanaleve të tij zyrtare, ndërsa emërimin e ka konfirmuar edhe Merovci përmes një postimi në rrjetet sociale.

Ky emërim konsiderohet një hap i madh në rrugëtimin profesional të trajnerit kosovar, i cili tashmë do të drejtojë një nga grupmoshat më të rëndësishme të akademisë së Hamburger SV, e njohur për zhvillimin e talenteve që më pas bëhen pjesë e ekipit të parë dhe futbollit elitar.

Me këtë detyrë të re, Merovci do të ketë përgjegjësinë për zhvillimin dhe përgatitjen e futbollistëve të rinj në një nga akademitë më prestigjioze në Gjermani.

Emërimi i tij përbën një tjetër dëshmi të suksesit të profesionistëve shqiptarë në sportin ndërkombëtar dhe një arritje të rëndësishme për futbollin kosovar./Albinfo.ch