Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev sot mori pjesë në panel diskutimin “Anëtarësimi në BE i Ballkanit Perëndimor: Besueshmëri, parashikim dhe udhëheqësi politike”, në kuadër të Forumit Ekonomik Delfi, që po mbahet me videokonferencë nga Athina.
Në panel-diskutimin morën pjesë edhe eurokomisari për Zgjerim Oliver Varheji, si dhe kryeministrat e Serbisë dhe të Shqipërisë, Ana Bërnabiq dhe Edi Rama, ndërsa përmes videoporosisë në forum pati fjalim edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq.
“Marrëveshja e Prespës është shenjë e mirë për të ardhmen e gjithë Ballkanit. Tani është koha që ta përforcojmë bashkëpunimin dhe ta rrisim besimin reciprok. Besoj se të gjitha vendet tona fqinje që janë anëtare të BE-së janë shumë të përkushtuara për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Zaevi.
Zaevi theksoi se jemi të përkushtuar në agjendën evropiane, por se ka hapësirë që të bëhet edhe më shumë, jo vetëm për shkak të përmbushjes së kritereve për anëtarësim në BE, por fillimisht për shkak të përmirësimit të jetës së qytetarëve, ndërsa kjo, sipas tij, do të bëhet përmes rritjes së besimit në institucione.
“Jam i lumtur që gjatë mandatit të eurokomisarit Varheji morëm vendimin historik pas 15 viteve për fillimin e negociatave. Vlerësoj se metodologjia e re do të jetë mundësi korrekte për të gjithë neve dhe nëse jemi me të vërtetë të përkushtuar do të kemi më shumë kapituj të hapur dhe më shumë arritje”, tha lideri i LSDM-së.
Theksoi se Forumi Delfi jep mundësi të mirë për përforcim të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, jo vetëm për Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut por për të gjitha vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, duke shprehur shpresë se së shpejti do të bëhemi anëtare të plotfuqishëm të BE-së./MIA
 
		



