Maqedonia e Veriut ka humbur përfundimisht 60.77 milionë euro nga grantet e pakthyeshme të fondeve IPA të Bashkimit Evropian, të destinuara për segmentin hekurudhor Kriva Pallankë–kufiri me Bullgarinë, që është pjesë përbërëse e Korridorit VIII.
Shkaku i kësaj dështimi financiar është mosarritja e Qeverisë për të nënshkruar kontratën e ndërtimit brenda afatit të paraparë, njoftoi VESTIMAK.mk.
Pasi paratë evropiane u bënë të paarritshme, Qeveria u detyrua të kalojë në ndryshimin e kontratave, me qëllim që projekti të mund të vazhdojë të financohet dhe realizohet përmes shfrytëzimit të kredive tashmë të dakorduara.
Në zgjidhjen ligjore e cila tashmë i është dërguar Kuvendit, shpjegohet me saktësi situata e re e krijuar.
Për shkak të këtij zhvillimi të ngjarjeve, siç theksohet në dokument, u shfaq nevoja e pashmangshme për ndryshimin e strukturës financiare dhe të zbatimit të projektit, respektivisht ndryshimin e institucionit që do të ketë kompetencën dhe përgjegjësinë për zbatimin e procedurës së tenderimit për ndërtim.
Para deputetëve në Kuvend tashmë gjenden dy zgjidhje ligjore, qëllimi kryesor i të cilave është harmonizimi juridik me realitetin e ri. Thelbi i këtyre ndryshimeve është fshirja nga ligjet e formulimit se projekti „pjesërisht financohet edhe përmes Instrumentit për Asistencë Paraqasëse-IPA të Bashkimit Evropian“, sepse shteti tani do të duhet të mbështetet tërësisht te huamarrjet për ta përfunduar hekurudhën drejt fqinjit lindor. Kjo hekurudhë është pjesë e projektit strategjik të Korridorit 8. (INA)



