Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nderoi sot heroin Tahir Sinani, komandantin e UÇK-sëqë ra për çlirimin e Kosovës, vetëm pak muaj pasi në Shqipëri, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla në mënyrë të turpshme përdori figurën e dëshmorit për të sulmuar protestën qytetare që tashmë prej 2 muajsh rresht kërkon largimin e qeverisë Rama.
Këtë të mërkure në Prishtinë u mbajt Akademia Përkujtimore me rastin e 25-vjetorit të rënies të komandantit Tahir Sinani që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se është e para e organizuar nga institucionet e Kosovës, përkatësisht nga qeveria.
Në fjalën e tij Kurti tha se gjeneral Tahir Sinani ishte një nga luftëtarët më të spikatur të çështjes kombëtare i cili mori pjesë në disa nga betejat me të lavdishme që do t’i bënin shqiptarët në historinë e tyre moderne.
“Luftëtari i paepur i lirisë. Pasi të përfshihej edhe vetë ai në zemër të luftës. Por pavarësisht kësaj, ai refuzoi t’i mbivendosej zinxhirit komandues të ushtarëve që i kishte trajnuar vetë. Duke këmbëngulur që fillimisht ta kalonte një sprovë personale përballjen e parë me forcat armike serbe. Dhe mu kështu edhe ndodhi. Vite më pas kur Tahir Sinani nuk do të ishte më i gjallë mes bashkëluftëtarëve, njëri prej tyre, Rexhep Selimi, i mirënjohur edhe për kreativitetin e tij të shumanshëm artistik, do ta përkthente këtë akt të Tahir Sinanit në një poezi që do të kompozohej në një këngë e që natyrshëm e kemi përfshirë edhe sot në këtë akademi. Angazhimin e tij në luftën e Kosovës, Tahir Sinani e përmbylli duke qenë në detyrën e komandantit të Zonës Operative të Pashtrikut, teksa në ditët e çlirimit të Kosovës, ai hyri triumfalisht në Prizren në krye të ushtarëve të tij”, tha Kurti, raporton KosovaPress.
Ndërkohë pak ditë më parë, (qershor 2026) kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, në vazhdën e sulmeve ndaj protetuesve, cilësoi si mercenar të paguar komandantin e UÇK-së, Heroin e Kombit, Tahir Sinani. Kjo akuzë e Taulant Ballës ngjalli reagime në Kosovë të cilët e cilësuan si akt paturpësie.
Në Akademinë Përkujtimore me rastin e 25-vjetorit të rënies të komandantit Tahir Sinani, foli edhe ish-bashkëluftëtari i Tahir Sinanit, Sadik Halitjaha, i cili tha se Tahir Sinani që mund të krahasohet me heronjtë epikë të kombit shqiptar.
“Ai ishte gjenetikisht stërnip i Mic Sokolit dhe ishte gjak shqiptari. Siç e thoshte edhe vetë: ‘Unë nuk munda të rri e të bëj sehir e të vriteshin vëllezërit e mi në Kosovë’. U përpoq të takojë njerëz nëpër qendrat e trajnimeve në veri të Shqipërisë dhe ra në kontakt me qendrën e furnizimeve të UÇK-së dhe me komandantin e përgjithshëm Azem Syla. Aty mori instruksionet dhe urdhrin për të hyrë në Kosovë. Në Kosovë hyri me një grup jo të madh shumë të ushtarëve që t’i krijojë një perimetër të sigurisë, por ai sigurinë e kishte në zemër dhe në shpirt, pasi e kishte automatikun në dorë. Hyri me Ruzhdi Kryeziun dhe disa shokë të tjerë me përvojë lufte”, tha ai.
Tahir Sinani ishte pjesë e tri luftërave në Kosovë, Maqedoni dhe Luginë.
© SYRI.net



