Deputeti serb i Frontit të Gjelbër-Majtas (ZLF), Dobrica Vesellinoviq, tha sot në Kuvendin e Serbisë, duke kritikuar punën e Qeverisë aktuale, se ajo “po e shtyn zgjidhjen e problemeve të rënda me fqinjët tanë, me Kosovën”, ndërsa kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, iu përgjigj se Kosova nuk është “fqinji jonë, por pjesë e Republikës së Serbisë”.
“Dua t’u them qytetarëve të Serbisë se gjithçka do të jetë në rregull kur SNS-ja dhe SPS-ja të mos jenë më në pushtet”, tha Vesellinoviq, duke shtuar se po flitet për një dekadë qeverisjeje të një force politike, raporton “Danas”, transmeton Klankosova.tv.
Vesellinoviq u tha përfaqësuesve të pushtetit se në seancën për mosbesimin ndaj Qeverisë nuk po diskutohet për Gjuro Macutin, por për politikën e Alleksandar Vuçiqit, të cilën, sipas tij, e mbrojtën edhe deputetët e shumicës.
“Kjo është ajo për të cilën qytetarët do të vendosin shumë shpejt: nëse duan një vazhdimësi që thotë se do të zgjerojmë pabarazitë shoqërore dhe ekonomike, do të privatizojmë gjithçka që mund të privatizohet, do ta shtyjmë zgjidhjen e problemeve të rënda me fqinjët tanë, me Kosovën, dhe nuk do ta fusim Serbinë në Bashkimin Evropian”, tha deputeti i ZLF-së.
Pas fjalimit të tij, Bërnabiq ia tërhoqi vërejtjen se Kosova “nuk është fqinji jonë”, por se për Kuvendin Popullor të Serbisë, “Kosova është pjesë përbërëse e Republikës së Serbisë”.
“Këta nuk janë fqinjët tanë. Ky mund të jetë qëndrimi juaj dhe duket qartë se është qëndrimi juaj, por nuk është qëndrimi i Republikës së Serbisë”, tha Bërnabiq. /Klankosova.tv



