Hapet një front i ri lufte në Lindjen e Mesme/SHBA-Arabi Saudite sulme ndaj milicisë në Irak, Irani godet Jordaninë

Ushtria e SHBA-së kapi disa raketa balistike të lëshuara nga Irani në përpjekje për të kryer një sulm të papritur ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme. Komanda Qendrore e SHBA-së nuk dha detaje mbi zonat e synuara, por Jordania njoftoi se kapi 5 raketa iraniane që kishin objektiv bazat ushtarake amerikane në atë vend.

Më herët, Garda Revolucionare Iraniane deklaroi se kishte goditur një bazë të SHBA-së në Jordani me raketa balistike. Ndërkohë ushtria amerikane tha se SHBA dhe Arabia Saudite zhvilluan sulme të përbashkëta ndaj objekteve logjistike dhe të armëve të lidhura me Iranin në Irak. Sipas milicisë irakene, sulmet në të paktën 7 provinca, përfshirë Bagdatin vranë disa persona dhe plagosën dhjetëra të tjerë.

Forcat e Mobilizimit Popullor, që janë objektivi sulmeve amerikane në Irak, pretenduan se u dëmtuan disa seli ushtarake, automjete dhe pajisje. Në përgjigje të tyre, kryeministri i Irakut, Ali Falih Al-Zaidi thirri mbledhje urgjente të Këshillit Ministror për Sigurinë Kombëtare dhe anuloi viiztën në Riad. Edhe Zyrtarët iranianë e dënuan sulmin duke e quajtur shkelje të sovranitetit të Irakut. Përshkallëzimi i situatës ndikoi edhe në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Çmimi i naftës Brent u rrit në mbi 87 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane arriti në mbi 82 dollarë për fuçi. Zhvillimet vijnë pasi të martën, presidenti amerikan priti në takime të veçanta homologun e Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Ky i fundit e cilësoi bisedën me Trumpi si një nga takimet më të mira që kanë zhvilluar ndonjëherë, duke theksuar se aleanca mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara është e fortë si graniti, ndërsa të dy liderët kanë të njëjtin qëllim të pengojnë Iranin të pajiset me armë bërthamore.

“Këtë objektiv do ta arrijmë me mjete diplomatike ose me mënyra të tjera”- deklaroi Netanyahu. Ndërsa presidenti ukrainas bëri me dije se ka marrë nga Trump garancinë se Ukrainës do t’i lejohet të marrë licencat për prodhimin e sistemeve të raketave Patriot.

/rtsh.al/