Tubime partiake, koncerte nga yje të muzikës nga vendi, Ballkani dhe bota, stand-up komedi me komedianë të ndryshëm, akademi solemne, festime dhe promovime të kompanive… Për shkak të mungesës së sallave të mëdha publike një numër i madh i këtyre ngjarjeve mbahen në tre objektet më të mëdha kulturore kombëtare në Shkup – Opera dhe Baleti Kombëtar (i njohur më parë si OBM), Filarmonia dhe Teatri Kombëtar i Maqedonisë (TKM), shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.
Të dhënat që BIRN i siguroi për vitin 2025 dhe muajt e parë të këtij viti tregojnë se nuk ka një qasje të vetme në dhënien me qira të hapësirave, pa dallim faktit se këto janë institucione të financuara nga shteti.
Disa operojnë sipas çmimoreve fikse dhe rregulloreve të përcaktuara në mënyrë strikte, ndërsa të tjerat e caktojnë shumën e qirasë bazuar në vlerësime individuale, gjë që ka si rezultat ndryshime të mëdha në shumat e kërkuara për të njëjtën hapësirë dhe krijon mundësinë për caktimin arbitrar të çmimeve. Për këtë praktikë kanë kritikuar edhe revizorët shtetërorë.
Në tre institucionet janë mbajtur edhe ngjarje për të cilat nuk është bërë pagesë.
Nga Institucionet shpjegojnë se ky nuk është një vendim as i drejtorëve dhe as i këshillave drejtues, por se përdorimi falas më shpesh është si rezultat i vendimeve të Qeverisë, Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, ose i marrëveshjeve të sponsorizimit institucional.
Por, disa nga këto vendime të institucioneve shtetërore janë jo konzistente.
Për shembull, me vendim të Qeverisë u vendos që Ditët e Shën Savës, nën organizimin e Qendrës Kulturore Serbe, të mbahen falas, ndërsa në të njëjtën kohë, për Ditën e Romëve të organizuar nga Qeveria të paguhet 4.500 euro.
TKM: Për të njëjtën sallë nga 30.000 deri në 240.000 denarë
Teatri Kombëtar i Maqedonisë vitin e kaluar e filloi me ngjarjen falas “Akademia e Shën Savës”. Shënimi i festës kombëtare të Serbëve mbahet në muajin janar, kështu që i njëjti vendim qeveritar për përdorim falas të hapësirës u zbatua edhe në vitin 2026.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka marrë vendime për përdorimin falas të sallës edhe për ngjarje të tjera, si shënimin e përvjetorit të Kryqit të Kuq, koncertet e Orkestrës Kombëtare të Xhazit, ngjarjen “Game Day” të organizuar nga Shoqata e Video Lojërave, si dhe për disa institucione shtetërore, shkolla fillore dhe për promovimin e filmit “Përralla për Siljanin”.
Pa pagesë koncert ka mbajtur edhe këngëtari David Temellkov.
Nga TKM thonë se për të gjitha ngjarjet falas kanë marrë njoftime zyrtare nga institucione të tjera shtetërore se ato duhet të mbahen falas. Sipas të dhënave të dorëzuara pikërisht TKM ka numrin më të madh të përdorimeve falas të sallës.
Por edhe kur caktohet një pagesë, ndryshimet në çmime janë të konsiderueshme.
Salla e Madhe në disa raste është marrë me qira për 30.000 denarë, si për shembull për një ngjarje të Forumit Rinor Islam ose për shfaqjen “Dijetarët e Korçaginit”, ndërsa për shënimin e përvjetorit të Lozhës së Madhe të Maqedonisë është kërkuar një shumë tetë herë më e lartë, 240.000 denarë.
Nga TKM shpjegojnë se disa nga këto ndryshime janë rezultat i asaj se disa ngjarje mbështeten nga institucione të tjera shtetërore.
Megjithatë, në raste të tjera zbatohet një vendim i Këshillit Drejtues, sipas të cilit skena e madhe mund të merret me qira për një çmim prej 30.000 deri në 240.000 denarë, varësisht nga mbështetja teknike e nevojshme.
“Disa organizatorë kanë nevojë vetëm për një dritë, ndërsa të tjerë kanë nevojë për një set të plotë dhe një ekip të plotë teknik”, thonë nga TKM.
OBM: Variacione të mëdha pa çmimore të qartë
Ndryshime të mëdha në çmimet për marrjen e hapësirave me qira ka edhe tek Opera dhe Baleti Kombëtar, më parë i njohur si Opera dhe Baleti i Maqedonisë.
Skena e madhe është dhënë me qira për shuma që sillen rreth 300 euro, sa kanë paguar disa studio baleti, deri në 3.000 euro, sa ka paguar partia politike BDI.
Për të njëjtën hapësirë organizatorë të tjerë kanë paguar shuma të ndryshme.
“Folk Fest Rosa” dhe Ambasada Ruse kanë paguar secili nga 1.500 euro, ndërsa muzikanti Kirill Xhajkovski dhe Universiteti i Turizmit dhe Menaxhmentit – Shkup, i cili ka organizuar një promovim solemn, kanë paguar nga 2.500 euro.
Edhe rasti i Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë është interesant.
Edhe pse institucionet shtetërore zakonisht i përdorin këto hapësira falas, për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, 8 Prill, Sekretariati i Përgjithshëm ka paguar rreth 4.500 euro. Nga Opera dhe Baleti Kombëtar shpjegojnë se përveç dhënies me qira të sallës institucioni ka marrë pjesë aktive në organizimin e vetë ngjarjes.
Variacionet e çmimeve janë në fakt një nga vërejtjet kryesore të revizorëve, të cilët gjashtë vjet më parë kanë kryer inspektim të institucioneve kulturore.
Konkretisht për Operan dhe Baletin Kombëtar Enti Shtetëror i Revizionit thekson se “tarifa për dhënien me qira të hapësirës skenike nuk është precizuar konkretisht, gjë që mundëson formimin subjektiv të çmimeve gjatë dhënies me qira, si dhe dhënien me qira të hapësirës me çmime më të ulëta se pragu minimal i çmimeve të parashikuara në aktin për përcaktimin e çmimeve të qirasë”.
Revizorët raportin e kanë publikuar në muajin tetor të vitit 2021. Po atë muaj, Opera dhe Baleti Kombëtar ka sjellë një vendim me të cilin i ka precizuar çmimet, por jo në mënyrë fikse, d.m.th. ato edhe më tej ndryshojnë shumë. Qiraja nga ngjarja në ngjarje ende mund të jetë pesë herë më e lartë.
Siç thuhet në dokument, çmimi i qirasë, përveç llojit dhe kohëzgjatjes së ngjarjes, do të përcaktohet edhe “në varësi të vokacionit së qiramarrësit”, kategori kjo që lë hapësirë të gjerë për interpretim arbitrar.
Pastaj vendimi është ndryshuar edhe dy herë, por vetëm në lidhje me shumën e pagesës, e jo në lidhje me kriteret fleksibile.
Filarmonia: Çmime të njëjta për të gjithë
Po atë vit revizorët shtetërorë e kanë vizituar edhe Filarmoninë e Maqedonisë. Atje, ata kanë bërë vërejtje pikërisht për shumat e pasakta.
“Çmimet rregullohen në shtrirje variabile, gjë që krijon rrezik nga subjektivizmi gjatë formimit të çmimeve të qirasë”, kanë theksuar revizorët.
Udhëheqësit atëherë kanë vendosur ta ndryshojnë rregulloren dhe t’i bëjnë shumat të njëjta për të gjithë.
Brenda një viti e gjysmë atje janë mbajtur 18 ngjarje pa pagesë. Shumica janë organizuar nga institucionet shtetërore – Ministria e Administratës Publike, Ministria e Energjetikës, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe Qyteti i Shkupit.
Edhe koncertet nga Orkestra Kombëtare e Xhazit janë mbajtur falas.
Edhe veraria Tikvesh e ka përdorur sallën falas, por Filarmonia shpjegon se kjo është si rezultat i një marrëveshje sponsorizimi, sipas së cilës kompania ka të drejtë për një aktivitet falas në vit.
Një aktivitet tjetër falas u organizua nga OJQ-të turke, për të cilin institucioni mori njoftim se mbështetej nga një institucion tjetër shtetëror.
Për të gjithë shfrytëzuesit e tjerë çmimet nuk ndryshojnë. Salla e madhe merret me qira për 2.500 euro, ndërsa salla e vogël për 1.000 euro, me shpenzime të mundshme shtesë nëse përdoret holli, pianoja e koncertit ose pajisje të tjera.
Përjashtim bëjnë vetëm interpretuesit e muzikës klasike, të cilët sallën kamertale mund ta marrin me një çmim më të ulët, sepse nuk mund të sigurojnë të ardhura të njëjta si organizatorët e koncerteve komerciale.
Sipas të dhënave të plota të cilat i siguroi BIRN për tre institucionet kulturore numri më i madh i ngjarjeve është organizuar në Filarmoni, e cila ka gjeneruar edhe të ardhurat më të mëdha nga kjo veprimtari, mbi 220.000 euro në vitin 2025 dhe pesë muajt e parë të këtij viti.
Më pak para në këtë mënyrë ka fituar Teatri Kombëtar i Maqedonisë, duke mbledhur rreth 53.000 euro nga dhënia me qira e hapësirës në një vit e gjysmë.
Opera dhe Baleti i Maqedonisë ka fituar pak më shumë se 100.000 euro.





