Një moment që mund të kishte përfunduar në tragjedi është kthyer në histori heroizmi, pasi një shofer kamioni në Turqi i shpëtoi jetën një gruaje që po mbytej.
Ngjarja ndodhi në lagjen Beykoz të Stambollit, ku gruaja ishte ulur pranë trotuarit dhe papritur nisi të shfaqte shenja të rënda të bllokimit të frymëmarrjes. Në ato momente kritike, një shofer kamioni që po kalonte aty pranë vuri re se diçka nuk shkonte, ndaloi menjëherë mjetin dhe vrapoi për t’i ardhur në ndihmë.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur ai afrohet me shpejtësi, kupton gjendjen e gruas dhe ndërhyn pa humbur kohë. Falë reagimit të tij të menjëhershëm, gruaja rifiton frymëmarrjen dhe del jashtë rrezikut, ndërsa pak çaste më vonë edhe kalimtarë të tjerë afrohen për ta ndihmuar.
Videoja është shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke mbledhur mijëra reagime. Përdoruesit kanë përgëzuar shoferin për gjakftohtësinë dhe humanizmin e treguar, ndërsa shumë e kanë cilësuar atë një hero të vërtetë, pasi reagimi i tij i shpejtë rezultoi vendimtar për t’i shpëtuar jetën gruas.



