Shtatë vite pas ardhjes nga Shqipëria, Erti bëhet nxënësi më i mirë i shkollës në Gjermani. Nga një fëmijë që nuk kuptonte asnjë fjalë gjermanisht, në nxënësin më të mirë të shkollës në qytetit Waiblingen. Sipas medieve gjermane, historia e suksesit të Erti Hysenajt tregon forcën e integrimit dhe punës së palodhur.
Kur Erti Hysenaj mbërriti në Gjermani nga Shqipëria, ishte vetëm 10 vjeç dhe nuk kuptonte asnjë fjalë të gjuhës gjermane. Shtatë vite më vonë, ai është kthyer në një nga nxënësit më të dalluar të Staufer-Gemeinschaftsschule në Waiblingen, duke u shpallur nxënësi më i mirë i Realschule-s në shkollë.
Erti, tashmë 17 vjeç, ka arritur rezultate të shkëlqyera: ai është nxënësi më i mirë në gjuhën gjermane, më i miri në lëndën e teknologjisë dhe gjithashtu kryeson të gjithë vitin e tij shkollor.
Mësuesi i tij, Matthias Sohnle, e përshkruan si një nxënës shumë të besueshëm, të përpiktë dhe të sjellshëm.
Fillimi në Gjermani nuk ishte i lehtë për të. Për të mësuar gjuhën e re, Erti përdori çdo mundësi. Përmes futbollit krijoi shoqëri me fëmijë vendas dhe kjo e ndihmoi të praktikonte gjermanishten në jetën e përditshme.
Ai mësoi gjithashtu duke parë video në internet dhe duke u përpjekur vazhdimisht të përmirësohej.
Historia e Ertit është një shembull i një integrimi të suksesshëm: një fëmijë emigrant që, falë vullnetit, mbështetjes së shkollës dhe përkushtimit personal, arriti të kapërcejë pengesat e gjuhës dhe të dalë në krye të klasës.
Rasti i tij tregon se ardhja në një vend të ri nuk përcakton të ardhmen e një personi. Me punë dhe mundësi të barabarta, një nxënës mund të arrijë rezultate të jashtëzakonshme.



