Konjufca optimist se me LDK do të gjendet një zgjidhje së shpejti

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka thënë se takimet e fundit mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe ish-presidenten Vjosa Osmani, kishte një natyrë tjetër diskutimi, andaj kjo i ka bërë optimist se një zgjidhje mund të gjendet së shpejti

Duke folur për përmbajtjen e takimeve, Konjufca tha se PDK-ja ka mbetur në qëndrimet e saj të mëhershme, ndërsa te LDK-ja është vërejtur një gatishmëri më e madhe për bashkëpunim.

“Sa i përket takimeve që u zhvilluan me PDK-në dhe LDK-në, u pa qartë se PDK-ja vazhdon të qëndrojë në pozicionet që i kemi parë edhe më herët. Ato qëndrime u shprehën edhe në takimin me kryeministrin Kurti. Kurse, sa i përket Lidhjes Demokratike të Kosovës, përshtypja jonë është se aty, përkundër herëve të kaluara, kësaj radhe ka vullnet më të madh për ta tejkaluar këtë moment në të cilin ndodhet Kosova. Ka një gatishmëri më të lartë për bashkëpunim nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe unë mendoj se opsionet që dalin në tavolinë për arritjen e një marrëveshjeje janë në përpjesëtim me vullnetin. Sa më i madh të jetë vullneti politik, sa më shumë gatishmëri për të bashkëpunuar të ketë, aq më shumë rritet numri i opsioneve për të gjetur zgjidhje, për pozicionet e ndryshme dhe për përgjegjësitë e ndryshme se si do të ndahen ato”, deklaroi ai.

Ai u shpreh optimist se pas takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, është krijuar një klimë tjetër diskutimi, e cila, sipas tij, mund të çojë drejt një zgjidhjeje.

“Por, sa i përket bashkëpunimit me ne, më është dukur se pas takimit të kryeministrit Kurti me presidenten, Osmani, me zotin Abdixhiku, kryetarin e LDK-së, kësaj radhe ka pasur një natyrë tjetër diskutimi, ndryshe nga herët e kaluara. Kjo na ka bërë më optimistë se një zgjidhje mund të gjendet së shpejti”, përfundoi Konjufca.