Drejtoria e Policisë Financiare ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike të Gjevgjelisë kundër një personi fizik – pronar dhe menaxher i një personi juridik, si dhe kundër vetë personit juridik, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Shmangie tatimore”, sipas nenit 279 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
I kallëzuari i parë, T.D., në cilësinë e menaxherit të personit juridik të kallëzuar, me vetëdije dhe me qëllim të parapërcaktuar për të përfituar dobi pasurore të kundërligjshme për vete dhe për kompaninë, gjatë periudhës 2024–2025, duke vepruar në kundërshtim me nenet 23 dhe 54 të Ligjit për Menaxhimin e Rrjedhave Shtesë të Mbeturinave, nuk ka deklaruar dhe nuk ka paguar kompensimin për mbeturinat ndaj Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për tekstilin e importuar nga personi juridik i kallëzuar, në shumën totale prej 3.852.067 denarësh.
Me qëllim që ta fshehë mosdeklarimin dhe mospagesën e këtij kompensimi të detyrueshëm ligjor, i kallëzuari i parë më 17 prill 2026 ka nisur procedurën e likuidimit të personit juridik të kallëzuar në Regjistrin Qendror të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Me këto veprime, të kallëzuarit i kanë shkaktuar dëm Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në shumën e përgjithshme prej 3.852.067 denarësh.



