Kurti nga veriu i Kosovës: Asnjë kriminel nuk do të lejohet të mbijetojë i pandëshkuar

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Varage të Zubin Potokut, tek lapidari në vendin ku ra heroi i Kosovës, Enver Zymeri, gjatë kryerjes së detyrës si pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, iu drejtua policëve të pranishëm duke theksuar se sakrifica dhe vetëmohimi i Enver Zymerit duhet të shërbejnë si shembull për të gjithë zyrtarët shtetërorë.

Ai tha se situata në veriun e Kosovës sot është ndryshe falë punës së policëve të rënë në detyrë, duke përmendur krahas Enver Zymerit edhe Afrim Bunjakun dhe zyrtarë të tjerë të Policisë së Kosovës.

“Është një obligim i yni, që t’i marrim këta si shembull të gjithë ne që jemi zyrtarë shtetërorë, për nga sakrifica edhe vetëmohimi. Sot gjendja këtu në veriun e Kosovës është krejtësisht ndryshe, pikërisht duke iu falënderuar Enver Zymerit, Afrim Bunjakut dhe të gjithë kolegëve të tyre, të cilët vendosën sundim të ligjit, paqe dhe siguri për të gjithë pa dallim”, u shpreh Kurti.

Ai kujtoi se këtë vit shënohen 15 vjet nga rënia heroike e Enver Zymerit, ndërsa përmendi edhe 20-mujorin e sulmit ndaj kanalit Ibër-Lepenc, një infrastrukturë jetike që furnizon me ujë një pjesë të madhe të Kosovës dhe termocentralet në Obiliq.

Sipas Kurtit, për rastin e sulmit ndaj kanalit Ibër-Lepenc tre persona ndodhen në burg dhe ndaj tyre po zhvillohet një proces gjyqësor. Ndërsa për vrasjen e Enver Zymerit, ai tha se drejtësia do të veprojë ndaj urdhërdhënësve dhe autorëve.

“Për urdhërdhënësit dhe dorën kriminale që e vrau heroin e Kosovës Enver Zymerin, natyrisht që herët a vonë drejtësia do të veprojë, sepse asnjë kriminel nuk do të lejohet që të mbijetojë i pandëshkuar. Prandaj edhe prokuroria dhe gjyqësia jonë e kanë mbështetjen tonë dhe e kanë detyrën e tyre”, tha Kurti.

Gjatë ditës, kryeministri në detyrë ka bërë homazhe edhe te lapidari në Prishtinë kushtuar policëve të rënë në krye të detyrës dhe ka vizituar familjet e tyre.