Gazetari sportiv i RTVM-së, Mustafa Ademi, ka reaguar ashpër ndaj televizionit Arena Sport M mënyrës së transmetimit televiziv të ndeshjes së xhiros së parë të Ligës së Parë të futbollit ndërmjet Strugës dhe Shkëndijës së Haraçinës, transmeton Zyrtare.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ademi e cilësoi transmetimin në Arena Sport M si “të tmerrshëm”, duke theksuar se ai nuk ishte në nivelin e një kampionati elitar.
Sipas tij, transmetimi u zhvillua pa timer në ekran, ndërsa pamjet nga kamerat ishin të një cilësie shumë të dobët, të cilat ai i krahasoi me një transmetim të thjeshtë në internet.
“Bile edhe transmetimet e viteve të 80-ta të shekullit të kaluar kanë qenë më të mira”, shkroi Ademi, duke shprehur pakënaqësinë e tij për standardin e transmetimit në ndeshjen që shënoi debutimin historik të Shkëndijës së Haraçinës në elitën e futbollit vendor.
Arena Sport M ishte në qendër të kritikave edhe gjatë transmetimit të finales së kupës së botës për cilësinë e dobët në transmetimin e ndeshjes finale. /Zyrtare.net/



