BESA “Nga Besa e Kanunit te Kushtetuta”/ Lutfi Dervishi: Besimi nuk ndërtohet me premtime, por me institucione!

Nga Lutfi Dervishi

A ke besë? Po institucione?

“Është qeverisja, or budall”

BESA është ndoshta përpjekja konceptuale më serioze që ka dalë ndonjëherë nga një qeveri shqiptare për të reflektuar mbi vetë mënyrën e qeverisjes. Ajo pranon diçka të pazakontë për një qeveri në pushtet prej tre mandatesh: problemi është besimi.

Besa, e thotë troç se protesta e flamingove nuk ishte “mosmirënjohje” siç e përshkruan vetë kryebashkiaku i sajuar në anekdotën hyrëse, por shprehje e një shoqërie që ka hyrë në fazë tjetër zhvillimi. Ky pranim, në vetvete, është hap prapa nga arroganca e deklaratave të fundit dhe i lë në hije historitë me agjenturat, algoritmet dhe “armiqtë e radhës”.

Por dokumenti prej 40 faqesh e kupton më mirë simptomën sesa diagnozën dhe harron elefantin në dhomë: BESA flet gjatë për besimin, po pothuajse aspak për shkaqet pse ai është konsumuar. Besimi është si goma fshirëse, zvogëlohet pas çdo gabimi.

Nuk ka pothuajse asnjë reflektim mbi korrupsionin si problem sistemik, përqendrimin e pushtetit, personalizimin e vendimmarrjes, dobësimin e institucioneve përballë ekzekutivit, konfliktet e interesit apo klientelizmin.

Fjala “korrupsion” shfaqet, vetëm një herë, në kontekstin e reformës në drejtësi dhe të së kaluarës, dhe jo si “gangrenë” që duhet luftuar.

Dokumenti i shkruar bukur të bën të besosh se problemi kryesor është administrata, ndërsa ata që janë në bulevard (dhe jo vetëm ata) besojnë se problemi është vetë modeli i qeverisjes.

BESA pranon se instrumentet; konsultimi publik, vlerësimi i ndikimit, planet e performancës, ekzistojnë prej vitesh në ligj; problemi ka qenë vetëm zbatimi formal i tyre. Po nëse është kështu, pse nuk funksionuan deri tani? Mungonte BESA?

BESA ngjan disi me Shqipëriaqeduam.al: problemet zgjidhen duke kapërcyer burokracinë dhe duke ndërhyrë nga lart, jo duke i lënë institucionet të funksionojnë vetë. BESA pretendon se nuk ndërhyn por koordinon, por Shqipëria nuk shkon në Bashkimin Europian me njësi të posaçme pranë Kryeministrit, sado mirë e argumentuar në letër.