Prerja në besë/Bushati: Rama ose e ka kuptuar revolucionin, ose po e manipulon

Në një përpjekje të gjatë për të treguar se e ka përthithur thelbin e “flamingove të bulevardit”, Edi Rama e ka humbur krejtësisht shënjestrën. Teza kryesore e “paktit të besës” me qytetarët ka qenë se duhet ta ndryshojë katërcipërisht qeverisjen dhe PS-në, pasi përgjatë tre mandateve Rilindja na ka dhuruar një Shqipëri aq të transformuar, sa bashkë me të ka revolucionrizur edhe pritshmëritë e publikut. Njerëzit falë nesh nuk mendojnë më të keqen më të vogël, por kërkojnë: “ka dhe më mirë”. Ne e futëm vendin në “epokën e pritshmërive”, tha pak a shumë ai, duke shpallur se protesta gati dy mujore mbylli një periudhë dhe hapi një tjetër. Për të argumentur idenë e tij se “sukseset” e udhëheqjes së tij e kanë ngritur stekën e kërkesave, ai bëri një enumercion të gjatë të transformimeve të qeverisjes 13 vjeçare: reformën në drejtësi që po dënon zyrtarë të lartë; varrosjen e kohës së radhave në sportele për çertifikata; rikthimin e dritave që dikur as nuk paguheshin dhe ndryshimin e qëndrave të qyteteve. Po ta dëgjoje, të dukej sikur po përjetoje një “deja vue” të Sali Berishës, në fund të pushtetit, në 2013. Edhe ai fliste për 12 mijë KM rrugë, bashkimin e kombit përmes një autostrade, ruajtjen e financave në sfondin e një krize ekonomike globale, heqjen e vizve dhe anëtrësimin në NATO. Por pavarësisht nga këto, me plot “1 miljonë shuplaka”, votuesit i thanë mjaftë më. Sepse kur është boll, është boll. Në këtë pikë ka mbërritur edhe Rama sot, njërëzit janë të ngopur, të lodhur, të neveritur me këtë autokrat të plakur.