Turistët izraelitë helmohen nga azoti në hotel Vlora Priam: menduam se do vdisnim, s’na ndihmuan

Dhjetëra turistë izraelitë që po qëndronin në Hotel Vlora Priam në Vlorë përfunduan në spital pas një episodi të dyshuar helmimi, duke shfaqur simptoma të rënda si dridhje trupore, të vjella, dobësi fizike, konfuzion dhe humbje të ndjenjave.

Ngjarja është bërë publike nga mediat izraelite, të cilat kanë raportuar për ankesat e turistëve ndaj mënyrës së reagimit të hotelit dhe autoriteteve shqiptare pas incidentit. Sipas tyre, disa pushues dyshojnë se simptomat mund të jenë shkaktuar nga një rrjedhje azoti nga sistemi i kondicionimit, megjithëse ky pretendim nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Racheli, banore e Kfar Saba në Izrael, kishte udhëtuar në Shqipëri për pushime familjare së bashku me fëmijët, motrën dhe pjesëtarë të tjerë të familjes. Ata u akomoduan në hotelin Vlora Priam, në qytetin bregdetar të Vlorës.

Sipas rrëfimit të saj për median izraelite Mako, situata nisi gjatë natës, kur vajza e saj e vogël u ankua se nuk arrinte të lëvizte këmbët.

“Shkova të shihja çfarë kishte dhe menjëherë pas kësaj fillova të ndihesha keq. Ndjeva një ndjesi të pazakontë dhe dhimbje në të gjithë trupin, si dhe fillova të vjell. Motra ime u përpoq të më ndihmonte, por edhe ajo nisi të kishte dridhje”, ka treguar Racheli.

Ajo tha se gjendja e tyre u përkeqësua brenda pak minutash.
“Arritëm në një pikë ku nuk mund të ecnim më. Kishim dridhje të forta, humbëm kontrollin e trupit dhe ndiheshim sikur ishim në një mjegull të plotë. Nuk arrinim të funksiononim”, u shpreh ajo.
Sipas Rachelit, disa prej familjarëve humbën ndjenjat dhe kërkuan ndihmë nga recepsioni i hotelit.
“Ishim shumë të hutuar dhe mezi kontrollonim veten. Kërkuam një mjek dhe telefonova djalin tim të madh, i cili ishte në një kat tjetër të hotelit. Kur erdhi, na gjeti në dysheme. Ishte një pamje e vështirë. Ai kishte parë ambulanca jashtë hotelit dhe shumë persona të tjerë jashtë dhomave të tyre”, tha ajo.

Deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar për shkakun e incidentit, ndërsa hoteli dhe autoritetet shqiptare nuk kanë publikuar një raport përfundimtar mbi pretendimet e turistëve.