Kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës janë ankuar tek shefat e misioneve të shteteve të Bashkimit Evropian për një sërë çështjesh, teksa kanë theksuar edhe “kontrollin nga niveli qendror mbi aktivitetet komunale”.
Siç është bërë e ditur në një njoftim publik nga Zyra e BE-së në Kosovë, shefat e misioneve të shteteve të BE-së kanë vizituar sot Zveçanin ku i kanë takuar katër udhëheqësit e komunave në veri, tetë muaj pasi morën detyrën.
“Kryetarët e komunave paraqitën një sërë sfidash të vazhdueshme që ndikojnë në ofrimin e shërbimeve komunale, përfshirë mungesën e arkivave, mungesën e stafit të kualifikuar, kufizimet buxhetore, çështjet pronësore dhe kontrollin nga niveli qendror mbi aktivitetet komunale. Shefat e Misioneve të BE-së zhvilluan gjithashtu takime të ndara me përfaqësues të shoqërisë civile dhe anëtarë të kuvendeve komunale nga partitë opozitare”, thuhet në njoftim.
BE-ja dhe shtetet anëtare kanë përsëritur qëndrimin se janë pro “një vetëqeverisjeje lokale të fortë në Kosovë dhe decentralizimit të mbështetur në Kushtetutë dhe Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale”.
“Ata bëjnë thirrje për përmirësimin e koordinimit ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, mbështetje efektive për komunat nga ministritë përkatëse dhe zbatim të barabartë të parimeve të sundimit të ligjit në mbarë Kosovën. Administratat komunale efektive, llogaridhënëse dhe plotësisht funksionale, që ofrojnë shërbime cilësore për të gjithë banorët e Kosovës, përfshirë në veri, janë në interes të publikut dhe thelbësore për ndërtimin e besimit, stabilitetit dhe prosperitetit. Si partneri më i fortë dhe më i besueshëm i Kosovës, si dhe donatori më i madh i asistencës financiare, Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë komunat dhe reformat që forcojnë vetëqeverisjen lokale në mbarë Kosovën”, thuhet në njoftim.
Nail Care Expert: If You Have Nail Fungus, Try This Tonight (At Home)
Orivelle
Edhe në dy ditët e shkuara, BE-ja ka pasur reagime apo deklarata për situatën në veri. Fillimisht ka kritikuar dekretin për pranimin e dorëheqjeve të gjyqtarëve e prokurorëve, edhe pse për to pati kërkesë nga vetë serbët që t’i tërheqin. E më pas ka reaguar edhe për rrënimin e vilave në Ujman duke thënë se ka shkelje procedurale.



