Ukraina godet Voronezhin dhe Krimenë

Dy persona, mes tyre një fëmijë trevjeçar, humbën jetën si pasojë e sulmeve me dronë që autoritetet ruse thonë se u kryen nga Ukraina gjatë natës.

Sipas zyrtarëve rusë, sulmet goditën qytetin Voronezh në jug të Rusisë dhe gadishullin e Krimesë, i cili kontrollohet nga Moska.

Në Voronezh, mbetjet e një droni të rrëzuar shkaktuan zjarr në banesën e një familjeje. Sipas guvernatorit rajonal një 19-vjeçar u plagos lehtë.

Në rajonin e Ulyanovskut, autoritetet thanë se një objekt energjetik u godit nga dronët ukrainas, duke shkaktuar zjarr.

Ndërkohë, përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës vijojnë paralelisht me zhvillimet në terren. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se ka zhvilluar një bisedë me Steve Witkoff dhe Jared Kushner për forcimin e diplomacisë dhe avancimin e përpjekjeve për paqe, por pa dhënë detaje specifike.

“Sapo fola me përfaqësuesit e Presidentit Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Një bisedë e mirë dhe e rëndësishme rreth asaj se si të forcohet diplomacia dhe të afrohet paqja. Paqja është e nevojshme, paqe me dinjitet, dhe Ukraina ka qenë prej kohësh e gatshme për të. Ekipet tona mbeten në kontakt të ngushtë, duke përfshirë edhe vazhdimin e punës për gjithçka që diskutuam”, tha Zelensky.

Pas një bisede me dyer të mbyllura në Manila me Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ritheksoi se Uashingtoni është i gatshëm për të ndihmuar në përfundimin e luftës nëse do të lindte mundësia.

“Ne duam një marrëveshje paqeje. Ne duam që lufta të përfundojë. Ne jemi të përgatitur të luajmë çdo rol pozitiv që mundemi për t’i dhënë fund luftës. Dhe për t’i dhënë fund kësaj lufte, ne do të kërkojmë diçka për të cilën si Rusia ashtu edhe Ukraina mund të bien dakord. Kjo nuk do të ndodhë në një konferencë për shtyp”, tha Rubio.

Lavrov, nga ana e tij, “riafirmoi gatishmërinë e Rusisë për një zgjidhje politike dhe diplomatike të konfliktit”, thuhet në deklaratën e ministrisë ruse.
Klan News