Prokuroria e Shkupit ngriti procedurë ndaj një 30 vjeçari, kërcënoi me thikë pronarët pasi nuk ia paguan mëditjet

Një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka nisur procedurë kundër një personi, pasi ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Rrezikim me mjet të rrezikshëm gjatë përleshjes ose grindjes”, sipas nenit 133, paragrafi 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

I dyshuari, 30 vjeç, u është kanosur me thikë dy bashkëshortëve, pronarë të kompanisë ku ai kishte punuar, duke kërkuar pagesën e mëditjeve të fundit të papaguara.

Më 21 korrik, pasdite, kur bashkëshortët po largoheshin me automjetin e tyre nga kompania në fshatin Trubarevë, i dyshuari ua bllokoi rrugën duke u vendosur përpara automjetit me një thikë në duar. Ai lëvizte në mënyrë agresive me thikën, i fyente dhe i kërcënonte, ndërsa më pas me thikë shpoi gomën e pasme të majtë të automjetit.

I dëmtuari u përpoq ta qetësonte, ndërsa bashkëshortja e tij, e frikësuar, iku dhe hyri në një kazino aty pranë, prej nga thirri policinë.

Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup propozim për caktimin e masave të kujdesit ndaj të dyshuarit, përkatësisht ndalim për largim nga vendbanimi ose vendqëndrimi, sekuestrim të përkohshëm të dokumentit të udhëtimit dhe ndalim për t’iu afruar personave të dëmtuar.