Përfundimi i hershëm i konsultimeve për Kodin e Sjelljes në Detin e Kinës Jugore do të ndihmonte për mbrojtjen e paqes e të qëndrueshmërisë në rajon dhe për ta mbajtur të ardhmen e rajonit në duart e vendeve të rajonit, duke u hequr forcave të jashtme çdo mundësi për ndërhyrje a përçarje, theksoi të martën ministri i Jashtëm kinez Wang Yi.
Në një takim në kryeqytetin e Filipineve Manila me homologun malajzian Mohamad Hasan, Wang tha po ashtu se Kina e vendet anëtare të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) kanë nxitur dhe mbeten të përkushtuara për përfundimin sa më parë të konsultimeve për COC-në, duke u mbështetur në themelet e Deklaratës për Sjelljen e Palëve në Detin e Kinës Jugore.
Duke theksuar që ASEAN-i është një pjesë e rëndësishme e botës shumëpolare dhe një forcë kyçe në Jugun Global, Wang shprehu shpresën se Malajzia do të përmbushë në mënyrë efektive rolin e saj si koordinatore e marrëdhënieve Kinë-ASEAN, do të mbrojë interesat e përbashkët të të dy palëve dhe do të sigurojë paqen e qëndrueshmërinë në Azinë Lindore.
Nga ana e tij, Mohamad ripohoi angazhimin e vendit të tij ndaj politikës së një Kine dhe shprehu gatishmërinë për të bërë të gjitha përpjekjet për të çuar përpara bashkëpunimin ASEAN-Kinë dhe për të ruajtur rolin qendror të ASEAN-it në arkitekturën rajonale.
Kryediplomati malajzian vuri në dukje gjithashtu që disa vende nuk kanë asnjë lidhje me Detin e Kinës Jugore, por megjithatë janë gjithmonë të etura për të treguar forcën atje. Ai shprehu shpresën për një përfundim të hershëm të COC-së, për të mbrojtur së bashku paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon.



