Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një valë të re sulmesh ajrore ndaj Iranit, për natën e njëmbëdhjetë radhazi, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se objektivi i radhës mund të jetë një kompleks bërthamor nëntokësor pranë Natanzit.
Komanda Qendrore e SHBA-ve (CENTCOM) deklaroi se sulmet kishin për qëllim të dobësonin më tej aftësinë e Iranit për të kërcënuar lundrimin tregtar në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret detare më të rëndësishme për tregtinë globale të naftës.
Sipas CENTCOM-it, objektivat e goditura përfshinin qendra operacionesh ushtarake, kapacitete detare, hangarë avionësh, depo dronësh dhe infrastrukturë logjistike ushtarake.
Nga ana tjetër, mediat shtetërore iraniane raportuan se sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan në Teheran, ndërsa shpërthime u raportuan edhe në qytetin veriperëndimor të Tabrizit, në portet juglindore Chabahar dhe Konarak, si dhe në Bushehr, ku ndodhet centrali i vetëm bërthamor i Iranit.
Tensionet janë përshkallëzuar pasi Trump deklaroi se SHBA-të mund të godasin së shpejti kompleksin e njohur si “Pickaxe Mountain”, një objekt nëntokësor pranë Natanzit, ku sipas dyshimeve të Washingtonit dhe aleatëve të tij, Irani po zhvillon një strukturë të padeklaruar për pasurimin e uraniumit.
“Do ta godasim atë zonë shumë shpejt dhe me intensitet të madh”, u tha Trump gazetarëve gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e Libanit, Joseph Aoun.
Ai shtoi se zakonisht nuk bën publike objektivat ushtarake, por në këtë rast, sipas tij, “ata nuk mund të bëjnë asgjë për ta ndaluar”.
Autoritetet iraniane reaguan menjëherë ndaj deklaratës së presidentit amerikan. Komanda ushtarake Khatam al-Anbiya paralajmëroi se çdo sulm ndaj objekteve bërthamore do të konsiderohej një zgjerim i luftës në rajon dhe se Irani do të godiste “të gjitha interesat e Amerikës, aleatëve dhe mbështetësve të saj”.
Ndërkohë, Kuvajti njoftoi se sistemet e tij të mbrojtjes ajrore kishin interceptuar dronë iranianë gjatë orëve të para të së mërkurës. Edhe Bahreini dhe Jordania raportuan se kishin rrëzuar dronë dhe raketa që hynë në hapësirën e tyre ajrore.



