Gazeta Türkiye, e njohur për afërsinë e saj me qeverinë, publikoi një raport ku pretendohet se pak përpara tentativës për grusht shteti të 15 korrikut 2016 ishte planifikuar një atentat ndaj presidentit turk Recep Tayyip Erdogan gjatë një stërvitjeje ushtarake.
Sipas gazetës turke, plani u zbulua dhe u pengua në momentet e fundit.
Duke iu referuar një burimi të paidentifikuar të sigurisë, gazeta shkruan se Erdogan ishte planifikuar të merrte pjesë në një stërvitje ushtarake, por programi i tij u anulua pasi u evidentuan lëvizje të dyshimta.
Sipas raportimit, atentati ishte konceptuar sipas modelit të vrasjes së ish-presidentit egjiptian Anwar Sadat gjatë një parade ushtarake në vitin 1981, ndërsa përgjegjësia i atribuohet lëvizjes së Fetullah Gylenit, të cilën autoritetet turke e cilësojnë si organizatë terroriste (FETÖ).
“Ata kishin vendosur në zonë një lloj skuadre vetëflijuese. Organizimi ishte bërë në mënyrë të tillë që, pavarësisht nëse kjo skuadër e arrinte apo jo objektivin, anëtarët e saj të mos kapeshin të gjallë. Ushtria dhe shërbimet e inteligjencës e paralajmëruan presidentin tonë për lëvizjet e dyshimta dhe plani u pengua në momentin e fundit”, citohet të ketë thënë burimi i sigurisë.
Burimi shton se pas incidentit “ndodhën një sërë ndryshimesh në radhët e ushtrisë”, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi personat që dyshohet se ishin përfshirë në planin e pretenduar.



