Pas presionit të opozitës, Ligji për Arsim të Lartë u tërhoq nga rendi i ditës

Me presion të opozitës, shumica parlamentare u detyrua të heqë nga rendi i ditës pakon e ligjeve për arsim të lartë. Pasi paraprakisht u mbajt debat i gjerë në komisionin për arsim, për propozim ligji u debatua edhe në seancë plenare. Vërejtja fillestare e opozitës është se njoftimi për mbajtjen e debatit ditën e premte ishte dërguar vetëm dhjetë minuta më herët për çka siç theksojnë, është shkelur rregullorja.

“Në mënyrë ekspres erdhi një sms tjetër se materialet përsëri i janë propozuar Kuvendit. Dhe interesante është Në 16:36 marr porosi se komisioni për arsim në 16:30 do të ketë mbledhje”, deklaroi Halil Snopçe, deputet i ASH.

“Kjo tendencë klandestine, për të kontrabanduar ligje mendoj se nuk i bën nder shumicës parlamentare, aq më pak nder Kuvendit si institucion. Nuk guxojmë të rrëshqasim në shkelje procedurale për shkak se minohet veprimi demokratik i Kuvendit“, theksoi deputeti i Lidhjes Shqiptare, Elmi Aziri.

“Dmth keni krijuar një precedent të rrezikshëm. Ligjet e Arsimit të Lartë kishin kaluar fazën e parë. Ne ishim në përgatitje të amendamenteve dhe ktheheni sërish e tërhiqni nga njëra seancë. E dorëzoni në këtë seancë pakon e ligjeve të arsimit të lartë me idenë dhe me arsyetimin se ka ka të bëjë me ndonjë lloj urgjence”, theksoi Rina Ajdari nga BDI.

Pasi mbledhjes së koordinatorëve, u vendos që të tre pikat e pakos së ligjeve për arsim të tërhiqen nga rendi i ditës. Siç mëson Alsat, shumica parlamentare ka komunikuar edhe me ministren e arsimit, Vesna Janevska, e cila ka lënë mundësinë për të diskutuar më gjerësisht me deputetët e opozitës. Janevska është përgjigjur se nuk ka pasur asnjë vërejtje nga Universitetet kur e prezantuar propozim ligjin. Ligji për Arsimin e lartë për momentin do të mbetet në stand by derisa të arrihet një marrëveshje politike me çka, do të dorëzohet përsëri në Kuvend në një seancë të re plenare./Alsat.mk.