Detaje të reja po dalin në dritë nga skandali që ka tronditur Postën Shqiptare në Durrës, ku tre zyrtare akuzohen se kanë përvetësuar rreth 69 milionë lekë të rinj, para që ishin destinuar për pensionistët dhe familjet në nevojë.
Sipas hetimeve, gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, prokuroria ka zbuluar se drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj, rezulton të ketë frekuentuar kazino. Vetë Mataj nuk e ka mohuar këtë fakt, por është mbrojtur duke deklaruar se askush nuk mund t’ia ndalojë të shkojë në kazino, pasi është “qytetare e lirë”.
“Unë jam qytetare e lirë. Më shpjegoni se cila është kontrata e firmosur që nuk mund të shkoj në lokale, bare dhe kazino,” mësohet të ketë deklaruar ajo para gjykatës.
Deklarata ka shkaktuar reagime të forta, pasi vjen në një kohë kur hetimet po përpiqen të zbardhin fatin e 69 milionë lekëve, para që duhej të përfundonin në xhepat e pensionistëve dhe përfituesve të ndihmës sociale, jo në një skemë që dyshohet se është përdorur për përfitime personale.
E pyetur nga gjykata se ku kanë përfunduar fondet që dyshohet se janë përvetësuar, Mataj është përgjigjur se “nuk e di”. Ajo ka mohuar gjithashtu se është përpjekur t’i shmanget drejtësisë, duke deklaruar se udhëtimi jashtë vendit ishte planifikuar më herët dhe se në datat 13 dhe 14 korrik kishte qenë në vendin e punës.
Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për të zbardhur të gjithë skemën, mënyrën se si dyshohet se janë zhdukur fondet publike dhe përgjegjësinë e secilës prej të arrestuarave.
Bëhet fjalë për një nga rastet më të rënda të abuzimit me fondet sociale, ku paratë e njerëzve që mezi presin pensionin e muajit dyshohet se janë përdorur në mënyrë kriminale, ndërsa qytetarët vazhdonin të prisnin në sportelet e Postës për pagesat që u takonin./JOQ



