Pronarët italianë: Shezlongët tanë të vjedhur po përdoren në Shqipëri

Dy biznesmenë nga Reggio Emilia në Itali kanë bërë publik rastin e rreth 350 shezlongëve të vjedhur nga struktura e tyre turistike, të cilët pretendojnë se janë identifikuar në një plazh në Kepin e Rodonit, në Shqipëri.

Sipas drejtuesve të klubit Onde Chiare, pajisjet, me një vlerë të deklaruar mbi 45 mijë euro, u vodhën gjatë natës në qershor të vitit 2024. Rreth një vit më vonë, një turiste nga Reggio Emilia, e cila po kalonte pushimet në Shqipëri, i njohu shezlongët falë logos së kompanisë, ende të dukshme, dhe njoftoi pronarët duke u dërguar fotografi.

Pas sinjalizimit, drejtuesit e biznesit autorizuan avokatin e tyre për të nisur procedurat ligjore në Itali dhe në Shqipëri, me synim rikuperimin e pajisjeve. Sipas Alberto Costolit, në bazë të procedurave, shezlongët duhej të ishin sekuestruar nga autoritetet shqiptare, por ai pretendon se ato vazhdojnë të përdoren në të njëjtin plazh.

“Një kliente tjetër na dërgoi së fundmi një video ku shihen shezlongët ende në përdorim. Kjo na ka zhgënjyer dhe zemëruar”, është shprehur Costoli.

Për këtë arsye, pronarët e Onde Chiare vendosën ta bëjnë çështjen publike përmes rrjeteve sociale dhe mediave. Ata deklarojnë se i janë drejtuar edhe emisionit investigativ italian Le Iene, ndërsa kanë apeluar edhe ndaj kryeministrit Edi Rama që të interesohet për rastin.

Sipas Costolit, rasti nuk përbën një imazh pozitiv për turizmin shqiptar. Ai theksoi se kompania ka bashkëpunuar prej vitesh me furnitorë shqiptarë pa hasur probleme, por kërkoi që institucionet të ndërhyjnë për zgjidhjen e çështjes.

Në postimin e publikuar në rrjetet sociale, drejtuesit e biznesit thonë se, pavarësisht denoncimeve, procedurave ligjore dhe angazhimit të avokatëve në të dy vendet, pajisjet e identifikuara nuk janë rikthyer ende.

Historia ka marrë vëmendje të gjerë në rrjetet sociale, ku postimi i publikuar nga Onde Chiare është shpërndarë gjerësisht, ndërsa pronarët shprehen se shpresojnë që reagimi publik të ndihmojë në zgjidhjen e rastit.