Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, nuk i ka dhënë incizimet nga incidenti në Kuvend, kur për pak u shmang përleshja fizike midis ministrit për Vetëqeverisje Lokale, Ivan Stojilkoviq, dhe deputetit të LSDM-së, Mile Trajçuleski. Gashi arsyetohet me mbrojtjen e të dhënave personale, transmeton Portalb.mk.
Në përgjigjen që Gashi ia ka dërguar koordinatorit të grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovskti, thuhet se incizimet nga holli i Kuvendit i nënshtrohen Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe për këtë arsye nuk do të dorëzohen që të shikohen.
“Lidhur me kërkesën për video incizimin nga paradhoma e sallës “Maqedonia” për periudhën nga ora 17:00 deri në orën 19:00, 13.07.2026, ju lutem ta keni parasysh nenin 94, paragrafi (1) të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për të cilën arsye Kuvendi nuk ka bazë ligjore t’ua dorëzojë këtë video incizim. Konkretisht, në dispozitën e theksuar është përcaktuar që kontrolluesi, Kuvendi, do të jep të dhëna personale për përdorim nga përdorues për rast konkret, dhe në bazë të kërkesës me shkrim nga përdoruesi, nëse ai përdorues në pajtim me ligjin është i autorizuar që t’i përpunojë ato të dhëna personale”, huhet në letrën e Gashit drejtuar Spasovskit.
Gashi gjithashtu thotë se sipas nenit 89 paragrafi (8) të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, incizimet e bëra gjatë mbikëqyrjes me video ruhen deri në përmbushjen e qëllimeve për të cilat kryhen, por jo më shumë se 30 ditë, përveç nëse me ligj tjetër nuk është paraparë periudhë më e gjatë.

Oliver Spasovski të hënën, në koordinimin e radhës, pritet të reagojë te Gashi, por LSDM-ja deri tani nuk ka zbuluar se cilat do të jenë hapat e ardhshëm që do të ndërmarrë.
Në seancën për rikonstruimin e Qeverisë, u raportua se Stojilkoviqi, në hapësirën para sallës plenare, për pak sa nuk u përlesh fizikisht deputetët e LSDM-së.
Grupi parlamentar i LSDM-së pas incidentit mbajti konferencë të jashtëzakonshme për media.
U raportua se Stoillkoviq e ka ofenduar edhe deputeten e BDI-së, Arbana Pasholliin.
Kujtojmë se Kuvendi vetëm pak ditë më parë promovoi Kodin e ri të Sjelljes Etike, duke e cilësuar atë si themeli i kulturës së re parlamentare. Kodi kërkon respekt të ndërsjellë, debat të argumentuar dhe shembull personal, ndalon gjuhën shoviniste dhe obligon që fjalimet të mos nxisin urrejtje, intolerancë apo dhunë, përfshirë edhe atë mbi bazë gjinore.
Ndërkaq vetëm pak ditë pas kësaj, në Kuvend janë parë sjellje që janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet për të cilat Kuvendi u mburr publikisht.



