Shkruan: Fejzi HAJDARI
Nuk e di se si është ndjenja të jesh i burgosur, sepse aty nuk kam qenë kurrë! Por, nga komunikimi me të burgosur, kam mësuar se është shumë e vështirë. Gjithsesi nuk do të doja askush të vihet prapa grilave, megjithëse, fatkeqësisht, një gjë e tillë është e pamundur. Thonë që këto vështirësi të burgosurve iu shumëfishohen, sidomos në raste kur atyre iu bëhën padrejtësi të mëdha gjatë procesve gjyqësore, fjala bie vuajnë dënime në mënyrë të padrejtë, në mungesë të fakteve dhe provave që do të kishin dëshmuar fajësinë e të burgosurve në raste të caktuara.
Fatkeqësisht, nga rastet e këtilla më së shumti në shtetet e rajonit kanë vuajtur pikërisht shqiptarë, të cilët edhe dita-ditës po vazhdojnë të mbajnë dënime drakonime me dekada. Nuk di një rast të tillë të dyshimtë për nga mënyra e caktimit të dënimit dhe sidomos nga mbajtja në burgim me kohë kaq të gjatë, të ketë në ndonjë shtet të rajonit. Por ç’ti bësh, shqiptarët e Maqedonisë vazhdojnë të vuajnë dënime drakonike nga procese të montuara (ose motivuara) politiko-gjyqësore, hiç më pak si në ish-Jugosllavinë e Titos.
Është interesant se edhe atëherë edhe tani, shqiptarët vazhdojnë te jenë viktima të regjimeve (pushteteve), ku pjesë janë edhe shqiptarët politikë. T’i numërojmë disa prej tyre nga viti 1991: rasti i ngjarjeve të Bit Pazarit (1992), Afera e Armëve (1992-1993), vrasja e protestuesit pranë UT-së (1994), rasti i ngjarjeve të Gostivarit (1997), i Sopotit (2003), Brodecit, Lagjja e Trimave, “Alfa”, rasti ‘Monstra’ dhe disa të tjerë. Në të gjitha periudhat kur kanë ndodhur ngjarjet, çuditërisht ka patur parti shqiptare në pushtet, bile edhe pjesë e komisioneve parlamentare që janë marrë me ndricimin e këtyre rasteve kanë qenë deputetë shqiptarë, duke filluar nga Ismet Ramadani, Mersel Bilalli, Hajrulla Misini etj.
Tek asnjë nga këto raste kurrë nuk është zbuluar “urdhërdhënësi” ose “ideatori”, që është kusht për ndicimin e plotë, të drejtë dhe transparent të rasteve të caktuara.
-Edhe atëherë edhe tani, shqiptarët u vranë, përndoqën, vuajtën (e povuajnë) si rezultat i pafuqisë (papotencës) politike të shqiptarëve në vendimmarrje respektivisht në qeveri. Edhe atëherë edhe tani, qytetarët shqiptarë u ballafaquan më padrejtësitë e shtetit, në momentin kur shqiptarët politikë pasuroheshin e shijonin privilegje e benificione, të cilat i mundëson të qenurit në pushtet.
Fatkeqësia qëndron në faktin se të burgosurit nga këto procese të motivuar kryesisht politikisht, edhe sot po vazhdojnë të vuajnë dënimet. Njëri ndër ta është edhe Agim Islami, i burgosur për rastin ‘Alfa’ që ndodhi në nëntor të vitit 2008 në Shkup, i cili po mbahet në burg tanimë 18 vite me radhë. Edhe pse ka shumë dyshime për mënyrën se si është sjellë vendimi gjyqësor për këtë dënim drakonik, gjë të cilën e kanë pohuar edhe të gjitha partitë politike shqiptare gjatë fushatave zgjedhore, një qasje serioze nga partitë politike shqiptare për ta rishqyrtuar rastin e Agim Islamit, po mungon edhe sot, fatkqësisht.
Agimin e mashtruan kur e futën në burg. Agimin e mashtruan edhe gjatë fushatave zgjedhore. Agimin po e mashtrojnë dhe injorojnë edhe sot, megjithëse gjatë fushatës zgjedhore i kishin premtuar shumë se do ta rikthejnë rastin në rishqyrtim…
Duke u përballur me këtë realitet të hidhur, ku faktori politik shqiptar, sikurse dje edhe sot, po tregohet i pafuqishëm dhe neglizhent, Agimi ditë më parë lëshoi ca ‘klithje’ nga thellësia e burgut dhe shpirti. Fatkeqësisht, ‘klithjet e Agimit’, vazhdojnë të injorohen nga ata të cilët janë kompetent jo vetëm ligjërisht, por edhe moralisht. Pra, politika po manifeston arrogancë dhe mospërfillje, ndaj një të burgosuri të cilit po i premtojnë se do ta kenë parasysh, tanimë 18 vite me radhë.
Kur shpresën ta vrasin ata që të kanë mashtruar dhe premtuar, pikërisht në këtë moment për të burgosurin fillon dhe mbaron e keqja e madhe…
Agim, më fal, pavarësisht fjalëve dhe bla-bla-bla’ve të mia në të shkruar, apo në të thënë, nuk po mundem të bëjë asgjë më shumë se kaq! Ata që duhej moti, ose sot, të të kishin nxjerr nga kazamatet, po kënaqen me premtime në fushatë se “do të angazhohen…”
Zoti të dhashtë shëndet e fat! Kjo është e vetmja shpresë, të tjerat, fatkeqësisht, janë gënjeshtra të kulluara e mashtrime.



