Tërmetet që tronditën Venezuelën, shkon në 5 mijë numri i viktimave

Numri i viktimave nga dy tërmetet shkatërruese që goditën Venezuelën në muajin qershor është rritur në 4,930 persona. Lajmin e bëri të ditur ligjvënësi venezuelian Jorge Rodriguez, ndërsa Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se deri në 50 mijë persona mund të rezultojnë ende të zhdukur, teksa shumë prej tyre dyshohen se ndodhen nën rrënoja.

Fatkeqësia natyrore ka prekur mijëra njerëz. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 17 mijë persona janë plagosur, ndërsa më shumë se 21 mijë banorë janë detyruar të jetojnë në qendra strehimi pas shkatërrimit të banesave të tyre.

Ekipet venezueliane të shpëtimit kanë vijuar operacionet që prej momentit të goditjes së tërmeteve, por shumë banorë kritikojnë ritmin e reagimit të autoriteteve. Disa të prekur thonë se ndihma e parë erdhi kryesisht nga qytetarët dhe organizatat e pavarura, ndërsa përgjigjja shtetërore u shfaq më vonë.

“Që në momentin e parë pati një reagim, por nga civilët dhe njerëzit. Përgjigjja e shtetit po shihet vetëm tani”, tha për Al Jazeera-n Cinthia Pulido, një banore e zhvendosur nga tërmetet.

Ekipet ndërkombëtare të kërkim-shpëtimit, të dërguara menjëherë pas katastrofës, tashmë janë larguar dhe përpjekjet janë përqendruar te ndihma humanitare dhe rindërtimi.

Shumë familje të prekura përballen me mungesë ushqimi, strehimi dhe mbështetjeje financiare. Louismarez Paez, një tjetër banore e zhvendosur, tha se ndihmat që merr mezi mjaftojnë për të mbajtur veten dhe fëmijët e saj.

Situata e rindërtimit në Venezuelë është ndërlikuar edhe nga sanksionet ekonomike ndërkombëtare, veçanërisht ato të vendosura nga Shtetet e Bashkuara. Ekspertët thonë se kufizimet kanë vështirësuar aksesin e qeverisë në burime financiare për përballimin e krizës.

Ekonomisti Mark Ueisbrot deklaroi se Venezuela ka burime të rëndësishme financiare që aktualisht nuk mund t’i përdorë. Sipas tij, rreth 11 miliardë dollarë janë të bllokuara nga SHBA-të dhe vendet evropiane. Një grup prej 14 ligjvënësish demokratë amerikanë i kanë kërkuar Shtëpisë së Bardhë të lehtësojë sanksionet ndaj Venezuelës, duke argumentuar se ato po pengojnë përpjekjet urgjente për ndihmë dhe rindërtim.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se procesi i rimëkëmbjes pas tërmeteve mund t’i kushtojë Venezuelës rreth 37 miliardë dollarë.

© SYRI.net