Deklarata skandaloze e ministres serbe: Sot kallëzim penal në Speciale, kërkohet urdhërarrest

Sot në Prokurorinë Speciale të Kosovës do të dorëzohet kallëzim penal ndaj ministres së Administratës Shtetërore në Serbi, Snezana Paunoviq, lidhur me deklaratat për ‘spastrim etnik në Kosovë’

Avokati Gent Gjini ka bërë të ditur se përmes këtij kallëzimi penal do të kërkohet fletarrestim ndërkombëtar nga Interpolit.

Sipas tij, deklaratat e ministres përbëjnë cenim të rendit kushtetues dhe sigurisë juridike të Republikës së Kosovës.

Avokati deklaron se deklarata e Paunoviqit, që thënë se “po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1999, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën” është skandaloze dhe e rrezikshme.

Gjini vlerëson se, për shkak të pozitës së saj si pjesë e qeverisë së Serbisë, ministrja paraqet rrezik potencial për sigurinë e popullatës shqiptare në Kosovë.

Avokati ka bërë të ditur se përveç Prokurorisë Speciale, një kopje e kallëzimit penal do t’u dorëzohet edhe ambasadave të shteteve të huaja në Kosovë, si dhe zyrave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).