Gani Geci kundër nënshkrimeve për shkarkimin e Abdixhikut: Kanë krijuar dhe do të krijojnë përçarje

Gani Geci, ka reaguar ndaj nismës për mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të partisë së LDK, ku synohet shkarkimi i kryetarit Lumir Abdixhiku.Përmes një deklarate për GazetaBlic, Geci tha se LDK-ja i ka organet e saj statutare dhe se të gjitha proceset duhet të zhvillohen në përputhje me Statutin e partisë.
Ai përmendi edhe procesin e mbajtur së fundmi në Degën e LDK-së në Skenderaj, duke thënë se aty janë zgjedhur kryetari, Kryesia dhe delegati për Kuvendin e LDK-së, sipas rregullave statutare.“Unë mund t’ju tregoj se LDK, Dega në Skenderaj, para disa ditësh, nën përcjelljen e Kryesisë Qendrore, ka mbajtur Kuvendin e saj, ku ka zgjedhur kryetarin, Kryesinë dhe delegatin për Kuvendin e LDK-së, bazuar në Statutin e LDK-së. Edhe në qendër: LDK-ja ka Kuvendin, LDK-ja ka Këshillin e Përgjithshëm, LDK-ja ka Programin dhe Statutin e saj, dhe të gjitha çështjet duhet të rregullohen në kuadër të Statutit të saj”, thotë Geci.
Ai u shpreh kritik ndaj nismës për mbledhjen e nënshkrimeve, duke vlerësuar se ajo vetëm sa thellon ndarjet brenda partisë.Geci shkoi edhe më tej, duke fajësuar për gjendjen aktuale të LDK-së ata që, sipas tij, kanë zgjedhur këtë formë veprimi ndër vite.
“Mbledhja e nënshkrimeve ka krijuar, krijon dhe do të krijojë përçarje. Ata që e kanë projektuar rrugën e tyre përmes nënshkrimeve, që nga vdekja e Presidentit Rugova e këndej, e kanë sjellë LDK-në në këtë derexhe”, tha Geci për GazetaBlic.