Sportistët shqiptarë regjistruan tri fitore dhe dy humbje në turneun ndërkombëtar të arteve marciale mikse “Cage Survivor 26”, i zhvilluar më 12 korrik në Christmas Theater, në Galatsi të Athinës.
Sipas rezultateve zyrtare të publikuara nga Federata Shqiptare e Arteve Marciale Mikse (MMA), Alkeo Bici fitoi ndaj gjeorgjianit Akaki Gabisonia me submission (Rear Naked Choke) në raundin e parë, pas 1 minute e 29 sekondash.
Fitore me submission arriti edhe Ilias Rustemi, i cili mposhti grekun Andronikos Ximitidis në raundin e dytë, pas 2 minutash e 54 sekondash.
Ndërkohë, Stelios Toromani triumfoi ndaj Panagiotis Sargiannidis me TKO në raundin e parë, pas 2 minutash e 41 sekondash.
Në dy përballjet e tjera, Jorig Daci u mposht nga greku Dimitris Achilleos me vendim të ndarë të gjyqtarëve (split decision), ndërsa Elvis Ndoja humbi me vendim unanim ndaj Stathis Papadopoulos në ndeshjen për titullin e peshës welter.
Federata Shqiptare e Arteve Marciale Mikse e cilësoi pjesëmarrjen e ekipit shqiptar si një paraqitje dinjitoze në arenën ndërkombëtare, duke përgëzuar sportistët për angazhimin dhe shpirtin luftarak.



