Një person me pasaportë të huaj është arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi dyshohet se kishte kanosur kryeministrin kosovar, Albin Kurti, sipas mediave në Prishtinë.
Ai është arrestuar të dielën në pikën kufitare në Stançiq, që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut. Arrestimi i 72-vjeçarit është realizuar gjatë procedurave të kontrollit kufitar, ku pas verifikimit, ka rezultuar se ndaj tij ishte lëshuar një urdhërarrest aktiv nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas informacioneve, personi i dyshuar kërkohej në lidhje me veprën penale “Dhunë ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës” nga 30 tetori i vitit 2025.
Në përputhje me urdhrin e prokurorit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë, kohë gjatë së cilës do të vazhdojnë hetimet për të specifikuar rrethanat e rastit.
Ndryshe, për shkak të polarizimit të thellë shoqëror, rrjetet sociale përdoren shpesh për linçime, fyerje dhe kanosje të drejtpërdrejta ndaj figurave politike në Kosovë.



