Mbi 10 mijë vdekje shtesë u regjistruan në vendet evropiane gjatë valës rekord të të nxehtit që përfshiu pjesën perëndimore të kontinentit në fund të muajit qershor, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga rrjeti evropian EuroMOMO.
Sipas raportit, nga 10.650 vdekje shtesë të regjistruara gjatë javës 22-28 qershor, më shumë se 9 mijë i përkisnin personave mbi moshën 65 vjeç.
EuroMOMO, një rrjet i mbështetur nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), mbledh dhe analizon të dhënat e vdekshmërisë nga 27 vende evropiane.
Temperaturat ekstreme mund të shkaktojnë goditje nga nxehtësia, por edhe të përkeqësojnë sëmundjet kardiovaskulare dhe ato të frymëmarrjes, duke i bërë të moshuarit grupin më të rrezikuar.
“Të regjistrosh një nivel të tillë vdekshmërie shtesë në këtë periudhë të vitit është e pazakontë. Shifrat janë vërtet shumë të larta”, tha për Reuters Lasse Vestergaard, mjek kryesor në Institutin Shtetëror të Serumit në Danimarkë, që koordinon rrjetin EuroMOMO.
Ai shtoi se, “është e vështirë të shpjegohet kjo rritje e madhe e vdekshmërisë me ndonjë faktor tjetër përveç nxehtësisë ekstreme”.
Shkencëtarët kanë paralajmëruar se vala e të nxehtit në fund të qershorit do të kishte qenë “praktikisht e pamundur” pa ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, të cilat po i bëjnë episodet e nxehtësisë ekstreme gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive.
Të dhënat përfshijnë të gjitha shkaqet e vdekjeve dhe jo vetëm rastet e lidhura drejtpërdrejt me temperaturat e larta.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se gjatë asaj periudhe nuk u evidentuan faktorë të tjerë madhorë, si shpërthime të COVID-19 apo epidemi të tjera, që mund të shpjegonin këtë rritje të papritur.
Në tetë javët para valës së të nxehtit, vdekshmëria në të njëjtat vende ishte mesatarisht rreth 500 raste në javë nën nivelet e zakonshme.
Vala ekstreme e të nxehtit shkaktoi ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, mbylljen e shkollave dhe thyerjen e rekordeve historike të temperaturave në Francë, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
EuroMOMO nuk publikon të dhëna të detajuara sipas shteteve, por theksoi se Franca dhe Belgjika ishin të vetmet vende që regjistruan një nivel “shumë të lartë” të vdekshmërisë shtesë gjatë javës së fundit të qershorit.
Në Belgjikë, sipas institutit kombëtar të shëndetit publik Sciensano, kjo ishte vala më vdekjeprurëse e të nxehtit që nga nisja e regjistrimeve në vitin 2000.
Ndërkohë, një studim i veçantë shkencor i publikuar të hënën vlerëson se rreth 2 mijë e 700 persona humbën jetën në Angli dhe Uells gjatë valëve të të nxehtit të muajve maj dhe qershor.
Sipas autorëve të studimit, 42 për qind e këtyre vdekjeve lidhen me ndikimin shtesë të ngrohjes globale në intensifikimin e temperaturave ekstreme.



