Steriliteti ndër faktorët kryesorë? Pse po ndahen sot çiftet në Kosovë

Të dhënat e fundit të Agjencisë të Statistikave të Kosovës tregojnë se gjatë vitit të kaluar mbi 1000 çifte i dhanë fund martesës.
Çfarë fshihet pas këtyre numrave, a kanë ndryshuar pritshmëritë e jetës në çift dhe a kanë ndikim vështirësitë ekonomike e ritmi i jetës moderne, për këto dhe më shumë në emisionin “Ora Shtatë” kanë diskutuar aktivistja Vasilika Zotaj, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi dhe psikologu Rron Kastrati, transmeton Klankosova.tv.

Zotaj, pavarësisht ndryshimeve në botë, tha se përderisa ekziston nëna, sipas saj, do të ekzistojë edhe familja.

“Në gjithë këtë vlug të madh të ndryshimeve që bota po shkon me hapa galopantë, nganjëherë është edhe e frikshme. Nuk kishte si edhe martesa të mos ndryshonte. Martesa ka ndryshuar strukturën, por unë mendoj që martesa bazë, nëna, baba dhe fëmija, nuk ka për të ndryshuar”, u shpreh Zotaj në Klan Kosova.
Ndërsa avokatja Gashi-Bytyqi, në emisionin “Ora Shtatë” tha se ndër arsyet e para e cila lejon të shpërbëhet raporti ndërmjet dy çifteve, sipas saj është çështja e sterilitetit.

“Vetëm dy raste në krejt karrierën time 20-vjeçare i kam pasur, për arsye se tash për fatin e mirë po janë këto metodat artificiale”, u shpreh avokatja në Klan Kosova.
Ajo shtoi se shumë ndarje shkaktohen për shkak të tradhtisë dhe përdorimit të alkoolit.

Nga ana tjetër, psikologu Kastrati tha se çiftet po ndajnë rrugët për shkak të mungesës së komunikimit të mirëfilltë.

“Mungojnë këshillimet paramartesore përpara se një çift ta vendos kurorëzimin”, tha ai në Klan Kosova.