Ministria e Shëndetësisë në koordinim me MPB-në kanë përfunduar të gjitha kontrollet tek subjektet juridike të cilat kultivojnë kanabis për qëllime mjekësore.
Siç njoftojnë nga Shëndetësia, janë konstatuar parregullsi të shumta nga dispozitat ligjore për kontroll të substancave psikotropike dhe drogave narkotike.
Për këtë shkak, me vendim të Qeverisë gjithsej janë konfiskuar 13 licenca për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore.
Në bazë të vendimeve të Qeverisë, deri tani janë konfiskuar gjithsej 13 licenca për kultivim të kanabisit për qëllime mjekësore. Tek një pjesë e subjekteve juridike, gjatë kontrolleve u konstatuan parregullsi të cilat nuk përbënin bazë për konfiskim të licencës por u janë dhënë udhëzime për largimin e tyre në përputhje me dispozitat ligjore. – Ministria e Shëndetësisë.
Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu në shkurt të këtij viti pati paralajmëruar zgjidhje të ligjore e cila nuk do të mundet më të keqpërdoret. Megjithatë, deri tani një zgjidhje e tillë nuk është miratuar. Nga Ministria tani bëjnë të ditur se janë në procedurë e sipër për të formuar një grup pune ndër institucionale, e përbërë nga përfaqësues të më tepër institucioneve kompetente e cila do të punojë zgjidhje të re ligjore, përkatësisht ndryshime ligjore në ligjin për droga narkotike.
Dyshimet për keqpërdorime me kanabisin për qëllime mjekësore nisën pasi në Serbi u sekuestruan 5 tonë marihuanë, që dyshohet se prejardhjen e kishin nga Maqedonia e Veriut. Pas këtij rasti, autoritetet në vend sekuestruan 40 tonë marihuanë nga kompani të licencuara për prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore, ndërsa më pas u ndërmorën inspektime të jashtëzakonshme. /Alsat.mk





