Anëtarët e Bordit Drejtues të M-NAV kanë marrë padi penale për shkak të dyshimit për shpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, punë të pakujdesshme në shërbim dhe shkelje të të drejtave nga marrëdhënia e punës, njoftoi „Fokus“.
Grand Kozmetik
Sipas dokumenteve të siguruara nga Fokus, padia i referohet Vladimir Risteskit, Milan Koraqit dhe Fatmir Zimberit, të cilët si anëtarë të Bordit Drejtues, në një mbledhje të mbajtur më 19 shkurt 2025, kanë marrë vendime me të cilat, sipas pretendimeve, kanë mundësuar avancimin e paligjshëm të një punonjësi në M-NAV.
Bëhet fjalë për Sasho Sllaveskin, i cili nga pozicioni i punës „roje e pronës – Ohër“ është sistemuar në pozicionin „ndihmës për trajnimi dhe koordinim“ në Departamentin e Informacionit Aeronautik (AIS), me vlefshmëri nga 1 marsi i vitit 2025.
Sipas padisë penale, me këtë vendim punonjësi është avancuar në një pozicion më të lartë dhe më të paguar, ku paga e tij pothuajse është dyfishuar – nga rreth 50.000 në afërsisht 100.000 denarë. Deri në dorëzimin e padisë, sipas llogaritjeve, atij i janë paguar rreth 7.000 euro më shumë në bazë të rritjes së pagës, vlerë kjo që, sipas paditësve, përbën dëm për M-NAV.
Në padi theksohet se koeficienti për llogaritjen e pagës është rritur nga 1,2087 në 2,3177, pa u plotësuar kushtet ligjore për një avancim të tillë.
Punonjësit e M-NAV, të cilët reagojnë ndaj kësaj situate, pohojnë se për të realizuar avancimin është ndryshuar sistematizimi i vendeve të punës dhe është krijuar një vend i ri pune pa pasur nevojë reale dhe pa një analizë të duhur.
Gjithashtu, sipas tyre, nuk është shpallur shpallja e obligueshme e brendshme për avancim, e as nuk është kërkuar pëlqim nga Ministria e Financave për sigurimin e mjeteve, gjë që, siç thonë ata, është një detyrim ligjor për një shoqëri aksionare në pronësi shtetërore.
Punonjësit paralajmërojnë se ky nuk është një rast i izoluar dhe se vendime të tilla përkeqësojnë edhe më tej gjendjen financiare të M-NAV, e cila, sipas tyre, tashmë po përballet me sfida të rënda financiare dhe borxhe.



