Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar të premten se Irani ka kërkuar vazhdimin e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara dhe se Uashingtoni zyrtar e ka pranuar këtë kërkesë. Megjithatë, ai ka theksuar se armëpushimi konsiderohet i përfunduar.
“Republika Islamike e Iranit ka kërkuar që të vazhdojmë bisedimet. Ne kemi rënë dakord për këtë, por Shtetet e Bashkuara ua kanë bërë të qartë, pa asnjë dilemë, se armëpushimi ka përfunduar”, ka shkruar ai në rrjete sociale.
Komentet e Trumpit u bënë pasi ditë më parë tri cisterna tregtare nga Katari dhe Arabia Saudite u sulmuan, çka shtyu Shtetet e Bashkuara të godisnin objektiva iraniane. Në përgjigje, Irani kreu sulme ndaj bazave ushtarake amerikane në shtetet fqinje të Gjirit Persik të enjten.
Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, negociatorë nga Katari të premten kanë zhvilluar takime me zyrtarë iranianë, me synimin për t’i ulur tensionet pas shkëmbimit të sulmeve mes Iranit dhe SHBA-së. Në fokus të bisedimeve ishte edhe siguria e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Trafiku ditor i anijeve që kalojnë nëpër këtë rrugë detare strategjike u ngadalësua të premten, pasi sulmet e fundit rritën shqetësimet për furnizimin global me naftë dhe sigurinë e transportit detar, duke treguar njëkohësisht se armëpushimi i përkohshëm mbetet shumë i brishtë.
Burimet kanë thënë se bisedimet në Iran synojnë zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit, si dhe adresimin e çështjeve që çuan në përshkallëzimin e fundit të tensioneve mes Uashingtonit dhe Teheranit. Ndër temat kryesore janë mosmarrëveshjet lidhur me lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Agjencia gjysmëzyrtare iraniane Tasnim ka raportuar se një delegacion nga Katari vizitoi Iranin, në atë që analistët e konsiderojnë si një përpjekje të Dohas për të forcuar rolin e saj si ndërmjetëse në krizë. Vizita bëhet pas akuzave të Katarit ndaj Iranit lidhur me një incident të dyshuar në Ngushticën e Hormuzit.
Ndërkohë, çmimet e naftës shënuan rënie të lehtë të premten, por mbetën në rrugën e duhur për të regjistruar një rritje javore prej rreth 5%, si pasojë e tensioneve të fundit në rajon.



