Një pasagjer 61-vjeçar nga Serbia u plagos në incidentin e sotëm në një avion të Ryanair, i cili u detyrua të kthehej në aeroportin e Selanikut pasi u zbulua një defekt në motor ndërsa fluturonte mbi Maqedoninë e Veriut. Mediat greke raportojnë se ai u shpëtua falë rripit të sigurimit dhe pasagjerëve të tjerë, të cilët e mbajtën dhe e tërhoqën për të mos u nxjerrë jashtë avionit përmes dritares së thyer.
Gjatë uljes, një pjesë e motorit të dëmtuar u shkëput dhe goditi një dritare të kabinës, duke shkaktuar humbjen e presionit në kabinë.
Portali grek Protothema publikoi dëshmi të pasagjerëve, të cilët thanë se në avion u dëgjua një zhurmë e fortë dhe se një dritare u thye. Ata treguan se pasagjerët mbajtën serbin, i cili ishte ulur pranë dritares së thyer, pasi rrjedha e fuqishme e ajrit e tërhoqi drejt jashtë.
“U dëgjua një zhurmë sikur të kishte plasur një gomë. Shpërtheu paniku dhe njerëzit bërtisnin, sepse menjëherë humbëm lartësi për shkak të dekompresimit. Për një moment mendova se dikush kishte hapur aksidentalisht derën e emergjencës. Të gjithë vendosëm menjëherë maskat e oksigjenit, por na u desh pak kohë të kuptonim se çfarë kishte ndodhur”, tha një nga pasagjerët.
Kryetari i sindikatës së punonjësve të transportit publik, Mihalis Janakos, deklaroi se u shmang një tragjedi, pasi trupi i pasagjerit u ngrit në ajër nga forca e dekompresimit, por bashkëshortja e tij arriti ta mbante dhe ta siguronte, ndërsa më pas ndihmuan edhe pasagjerë të tjerë duke e tërhequr përsëri brenda kabinës.
Ai është mbajtur në spital në Selanik për shkak të djegieve nga fërkimi dhe një dëmtimi në qafë.
Avioni po fluturonte nga Selaniku drejt Memmingenit në Gjermani.
“Avioni u ul normalisht dhe pasagjerët u kthyen në terminal”, thuhet në njoftimin e Ryanair.



