Ka përfunduar seanca e parë gjyqësore ku në bankën e të akuzuarve u ul 25-vjeçari Trajko Bojkovski. Ai akuzohet për vrasjen e katër grave në rajonin e Kumanovës në një periudhë prej më shumë se një viti, ndërsa Prokuroria pretendon se motivi kryesor ishte nekrofilia, gjegjësisht kënaqja e epsheve të ulëta mbi trupat e pajetë. Seanca e radhës është caktuar për më 31 gusht në Gjykatën Penale të Kumanovës.
Sot, pas përfundimit të gjykimit, prokurori Ljubomir Lape deklaroi se ky rast është specifik sepse është i vetmi në rajon në praktikën gjyqësore, ku një vrasës serik ka qenë i motivuar kryesisht nga nekrofilia. Në praktikën botërore ka pasur disa raste të tilla, të cilat Prokuroria i ka shfrytëzuar për të ngritur teorinë e rastit. Motivin, tha ai, do ta vërtetojë përmes raporteve të autopsisë, ekspertizës psikiatrike dhe dëshmive të dy grave të mbijetuara.
I pyetur nëse gjatë hetimit Prokuroria ka marrë pranim të fajësisë nga Bojkovski, prokurori tha se nuk mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje derisa të paraqiten provat në kuptimin procedural.
Për mjekët të cilët nuk ditën të vlerësonin se vdekja e disa prej grave ishte e dhunshme, me çka ato u varrosën sikur të kishin ndërruar jetë nga vdekja natyrore – pas së cilës pasoi zhvarrosja – ka një lëndë të hapur në Prokurorinë e Lartë Publike në Shkup.
Lajme Vrasësi serial nga Kumanova është i vetmi në rajon që ka vrarë...



