Trump shkoi në Turqi me aeroplanin e ri, u kthye me të vjetrin – çfarë ndodhi?

Edhe pse presidenti amerikan, Donald Trump, e ka lavdëruar vazhdimisht aeroplanin e ri luksoz Boeing 747-8, i cili iu dhurua nga shteti i Katarit, vëmendje të madhe tërhoqi fakti se ai u largua nga samiti i NATO-s në Ankara me aeroplanin e vjetër presidencial.

Sipas The New York Times, kjo lëvizje ishte rekomanduar nga Shërbimi Sekret amerikan si masë sigurie, për shkak të tensioneve të vazhdueshme me Iranin.

Mediat amerikane raportojnë se Trumpi mbërriti në Ankara me aeroplanin e ri të dhuruar nga Katari. Megjithatë, gjatë kthimit ai udhëtoi fillimisht me aeroplanin e vjetër presidencial dhe vetëm gjatë ndalesës në Britaninë e Madhe hipi sërish në aeroplanin e ri.

Ky veprim ka shtuar pikëpyetjet nëse aeroplani i ri, të cilin Trumpi kishte kërkuar të vihej në funksion sa më shpejt, është pajisur me të gjitha sistemet e nevojshme të sigurisë. Ligjvënës amerikanë dhe disa zyrtarë kanë ngritur shqetësime nëse afati i përshpejtuar ka lejuar instalimin e plotë të sistemit të avancuar të mbrojtjes nga raketat dhe teknologjive të tjera që përdoren për mbrojtjen e presidentit.

Drejtori i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, Steven Cheung, deklaroi se “Air Force One i ri” është një aeroplan i teknologjisë më të avancuar dhe i pajisur me protokolle të larta sigurie për të garantuar mbrojtjen e presidentit dhe stafit të tij.

“Siç ka thënë së fundmi presidenti, ka shumë armiq të Amerikës që e kanë atë në shënjestër dhe ne po përdorim çdo mjet në dispozicion, përfshirë shpërqendrimin dhe dezinformimin, për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve”, ka thënë ai.

Megjithatë, persona të njohur me kapacitetet e aeroplanit të ri thanë se ai ende nuk i posedon të gjitha sistemet dhe funksionet mbrojtëse që ka aeroplani i vjetër presidencial.

Trump i mohoi të mërkurën pretendimet se ndërrimi i aeroplanëve ishte bërë për arsye sigurie. Ai ka thënë se ndryshimi u bë vetëm që aeroplani i ri të mund të nisej më herët dhe të ndalej në baza ushtarake amerikane, ku dëshironte t’ua prezantonte trupave, duke e cilësuar atë si “madhështor”.

VIDEO: