Vizita e kryeministrit Edi Rama në Ankara duket se nuk ka zbutur kritikat që vijnë nga mediat pranë pushtetit turk. Teksa kreu i qeverisë shqiptare mori pjesë në Samitin e NATO-s dhe zhvilloi takime me presidentin Recep Tayyip Erdoğan, televizioni turk GZT publikoi një analizë ku fokusohet te afrimi i Shqipërisë me Izraelin.
Në artikull thuhet se bashkëpunimi ushtarak mes Tiranës dhe Tel Avivit ka hyrë në një fazë të re, ndërsa qeveria shqiptare po e lidh gjithnjë e më shumë sigurinë kombëtare me industrinë izraelite të mbrojtjes.
Media ndalet te inaugurimi i Shkollës Kombëtare të Fluturimit, e realizuar në bashkëpunim me kompaninë izraelite Elbit Systems, si dhe te projekti i shpallur nga Rama për ngritjen e Shkollës Kombëtare të Forcave Speciale. Sipas GZT, kjo nënkupton se trajnimi, edukimi dhe certifikimi i forcave speciale shqiptare do të zhvillohet sipas modelit ushtarak izraelit.
Analiza thekson gjithashtu se bashkëpunimi mes dy vendeve nuk kufizohet vetëm te pajisjet ushtarake, por përfshin edhe inteligjencën, sigurinë kibernetike dhe teknologjinë e mbrojtjes.
Në artikull përmendet edhe marrëdhënia personale mes Edi Ramës dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke rikujtuar vizitën e Ramës në Izrael dhe fjalimin e tij në parlamentin izraelit.
Publikimi i GZT vjen vetëm pak ditë pasi edhe media të tjera turke, si Hürriyet dhe Daily Sabah, publikuan analiza kritike ndaj kryeministrit shqiptar lidhur me marrëdhëniet gjithnjë e më të afërta mes Shqipërisë dhe Izraelit.
Fakti që analiza u publikua gjatë kohës kur Rama ndodhej në Ankara po interpretohet si një sinjal se afrimi i Tiranës me Tel Avivin vazhdon të ndiqet me vëmendje dhe të komentohet në mediat pranë qeverisë turke.



