Në Kuvend ende nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe 13,500 amendamentet e dorëzuara nga partitë opozitare maqedonase, LSDM dhe e Majta e që kanë të bëjnë me ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Partitë politike në Kuvend deri tani janë mbledhur tre herë për të tejkaluar mospajtimet mes tyre por pa sukses. Problemi kryesor mbetet mënyra e votimit të diasporës.
“Amendamentet ende po përkthehen dhe qëllimi është të përfundojnë sa më shpejtë që pastaj të thirret seancë e Komisionit. Unë personalisht jam për votim elektronik të diasporës, madje do të doja të realizohet edhe tek ne. Megjithatë nëse konstatohet se me të vërtetë mund të vidhen vota, atëherë duhet të ndërmerren masa që ligji të përmirësohet”, tha kreu i Kuvendit Afrim Gashi në brifing me gazetarët.
Nga LSDM bënë të ditur se përpos votimit elektronik, janë edhe kundër votimit përmes postës. Shprehen se nuk janë kundër diasporës por janë kundër vjedhjes së votave të tyre. Kërkojnë nga pushteti të heqin dorë nga qëllimet e tyre, të tërheqin mbrapsht këto ndryshime të Kodit dhe kërkojnë që çështjen e diasporës, ta zgjidhë KSHZ-ja.
“Mickoski dhe VMRO nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga përpjekjet për manipulim dhe keqpërdorime të mbi 200 mijë votave nga diaspora. Pasi kuptoi se nuk mund ta kalojë mënyrën e votimit elektronik të diasporës pa asnjë kontroll, tani përpiqet me një çfarë votimi përmes postës. Model i ri dhe mundësi për manipulime dhe parregullsi zgjedhore. Votimi përmes postës pa një konsensus të KSHZ-së që të vërtetojë rregullat dhe mekanizmat, nuk e përmirësojnë demokracinë e procesit zgjedhor”, deklaroi Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
Por për VMRO-në, arsyeja e vërtetë e opozitës është frika se nuk do të mund të fitojnë vota nga diaspora.
“Venko Zaev dhe LSD kundërshtojnë zgjidhjen që diaspora maqedonase të votojë në numër sa më të madh. Propozimi për votim elektronik ose me postë u refuzua nga Venko Zaev dhe LSD sepse tek ata mbizotëron frika se qytetarët që e braktisën vendin në periudhë të qeverisjes së tyre, nuk do ti mbështesin politikat e tyre. Nga ana tjetër Apasiev dhe E Majta edhe pse fituan financa më të larta për fushatë zgjedhore, nuk e nënshkruajnë marrëveshjen. Na vjen keq që në mënyrë të tillë përpiqen të fitojnë pikë politike”, tha Valentin Manasievski nga VMRO.
Pasi paraprakisht mbajtën tre mbledhje, e katërta e radhës është caktuar për nesër. Në takimin e fundit E Majta kishte kërkuar të kalohet në një zonë zgjedhore dhe rritje të buxhetit për reklamim, ndërsa Lidhja Shqiptare ka kërkuar që votimi elektronik apo me postë e diasporës të vlejë edhe për zgjedhjet lokale, për çka nga VMRO për momentin nuk pajtohen. Bazuar në zhvillimet e takimeve, dje kryeministri Mickoski u shpreh se shumë pak është optimist se do të arrihet marrëveshje./Alsat.mk



