Gjithnjë e më nxehtë – klima e re e Evropës

Vetëm pak ditë kanë kaluar nga fillimi i korrikut, por Mbretëria e Bashkuar dhe pjesa më e madhe e Evropës kanë përjetuar tashmë dy valë të fuqishme të të nxehtit, të cilat kanë thyer rekorde dhe po konsiderohen si një pasqyrë e klimës së re të kontinentit.

Pas temperaturave të larta të muajit maj, edhe qershori solli rekorde të reja. Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike të OKB-së, temperaturat jo vetëm që u thyen, por u tejkaluan ndjeshëm në një ngjarje të cilësuar si “e jashtëzakonshme”. Ndërkohë, meteorologët paralajmërojnë se një tjetër valë e të nxehtit është në horizont.

Shkencëtarët theksojnë se këto fenomene nuk janë më të pazakonta, por përputhen me parashikimet për një planet që po ngrohet si pasojë e ndryshimeve klimatike të shkaktuara kryesisht nga djegia e lëndëve djegëse fosile dhe emetimi i gazrave serrë.

Profesori Stephen Belcher, shkencëtar kryesor në Shërbimin Meteorologjik të Mbretërisë së Bashkuar (Met Office), tha se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor po i bëjnë valët e të nxehtit më të shpeshta dhe më intensive.

Twin Study Reveals Why Some Women Age Faster Than Others (It’s Not What You Think)
Beauty Review Magazine

Në qershor, temperaturat më të larta u regjistruan në jug të Anglisë dhe Uellsit jugor, ndërsa stacioni meteorologjik në Lingwood, Norfolk, shënoi 37.7 gradë Celsius, duke thyer rekordin e mëparshëm të qershorit prej 35.6°C, të vendosur në vitin 1957 dhe të barazuar në vitin 1976.

Edhe stacionet me të dhëna shumëvjeçare regjistruan rekorde të reja, në disa raste me mbi 2 gradë Celsius më shumë se maksimumet e mëparshme. Sipas profesorit Ed Hawkins nga Universiteti i Readingut, zakonisht rekordet thyhen me disa të dhjeta ose maksimumi një gradë, ndaj rritje kaq të mëdha konsiderohen të jashtëzakonshme.

Përveç temperaturave ekstreme, vala e të nxehtit u shoqërua edhe me lagështi të lartë, duke e bërë vapën më të rëndë dhe duke vështirësuar ftohjen natyrale të trupit përmes djersitjes. Temperaturat mbetën të larta edhe gjatë natës, duke penguar pushimin e organizmit.

Në Cardiff, gjatë natës mes 24 dhe 25 qershorit, temperatura nuk zbriti nën 23.5°C, nata më e ngrohtë e regjistruar ndonjëherë në muajin qershor në Mbretërinë e Bashkuar. Shumica e Anglisë dhe Uellsit përjetuan të paktën një “natë tropikale”, kur temperatura nuk bie nën 20°C – një fenomen që dikur ishte shumë i rrallë, por që sipas shkencëtarëve pritet të bëhet gjithnjë e më i zakonshëm me rritjen e temperaturave globale.