Kompanitë e sektorit privat në Maqedoninë e Veriut mund të fillojnë pagesën e regresit për pushimin vjetor (K-15), ndërsa shuma minimale për vitin 2026 është përcaktuar në 19.116 denarë.
Vlera e K-15 është llogaritur në bazë të pagës mesatare neto për muajt shkurt, mars dhe prill 2026, e cila ka qenë 46.159, 48.433 dhe 48.779 denarë. Mesatarja prej rreth 47.790 denarësh shërben si bazë për përllogaritjen e regresit, i cili, sipas Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive për sektorin privat, nuk mund të jetë më i ulët se 40 për qind e kësaj shume.
Të drejtën për të përfituar K-15 e kanë të gjithë të punësuarit në sektorin privat që kanë të paktën gjashtë muaj punë të pandërprerë te i njëjti punëdhënës gjatë vitit kalendarik.
Punëdhënësit mund të paguajnë edhe një shumë më të lartë, nëse kjo parashihet me marrëveshje kolektive, kontratë pune ose me vendim të brendshëm të kompanisë.
Nga ana tjetër, kompanitë që operojnë me humbje ose përballen me vështirësi financiare mund të paguajnë një shumë më të ulët ose, në raste të caktuara, të lirohen nga kjo detyrim, por vetëm në përputhje me ligjin dhe Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive, si dhe nëse disponojnë dokumentacionin përkatës që e arsyeton këtë.
Nëse punëdhënësit nuk e paguajnë regresin në përputhje me ligjin, ata mund t’i nënshtrohen kontrolleve nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe të përballen me gjoba. Ndërkohë, punëtorët kanë të drejtë të paraqesin ankesë pranë Inspektoratit Shtetëror të Punës ose t’i kërkojnë të drejtat e tyre përmes procedurës gjyqësore.
K-15 është një e drejtë e garantuar e punëtorëve, e cila buron nga Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive dhe legjislacioni i punës në Maqedoninë e Veriut.



