Katër persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri që ndodhën para pak orësh në sheshin e qytetit të Podujevës, transmeton albinfo.ch.
Sipas raportimeve, të plagosur kanë mbetur dy vëllezër mërgimtarë me inicialet F.Z. dhe F.Z., të dy me shtetësi gjermane. Po ashtu, i plagosur ka mbetur edhe A.Xh., i cili, sipas Policisë së Kosovës, dyshohet se ka lidhje familjare me dy personat e tjerë të plagosur.
Nga të shtënat është plagosur edhe A.I., një i ri shtetas i Kosovës, i cili raportohet se ishte kalimtar i rastit në momentin e incidentit.
Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po zhvillon hetime intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. Në vendngjarje janë sekuestruar dhjetëra prova materiale, të cilat pritet të ndihmojnë në hetim.
Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur motivin e incidentit, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim./Albinfo.ch



