Interesimi për të qenë të pranishëm gjatë shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – më 16 shtator në Hagë, pritet të jetë shumë i madh.
Kështu ka deklaruar gazetarja e Klan Kosova, Rina Mujku, në emisionin “Edicioni Special”, duke thënë se kërkesat për të ndjekur nga afër seancën pritet të tejkalojnë ndjeshëm numrin e mëparshëm.
“Natyrisht që po. Pavarësisht se unë kam pasur përshtypjen në shkurt të këtij viti, në mbylljen e rastit, pra gjatë fjalëve përfundimtare, se do të kishte kërkesa të shumta, ka pasur disa qindra për ato 67 ulëse sa janë në galerinë e publikut të Gjykatës Speciale. Por kësaj here pres që shifra e atyre që kërkojnë ta dëgjojnë nga afër këtë aktgjykim, që është kapitali i Gjykatës Speciale, të jetë shumë më e lartë, sepse ky është rasti më i madh dhe mund t’i kalojë edhe mijëra kërkesa, pasi e tillë është rasti dhe e tillë është pritshmëria”, deklaroi Mujku.
Sipas saj, interesimi vjen si nga qytetarët brenda Kosovës, ashtu edhe nga bashkatdhetarët në diasporë, veçanërisht në vendet e Bashkimit Evropian.
“E gjithë kjo vlen si për personat brenda, ashtu edhe jashtë Kosovës, sepse duhet përmendur që kërkesat më të mëdha për t’i ndjekur nga afër këto procedura vijnë nga bashkatdhetarët, nga shqiptarët që jetojnë në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.Por pritet që të ketë qindra kërkesa. Besoj se do ta tejkalojë me një shifër shumë të lartë atë numër kërkesash, pra shifrën prej 200 e ca kërkesash që kanë qenë në seancat e shkurtit. Besoj pikërisht për shkak se po bëhet fjalë për aktgjykimin më të madh”, tha Mujku./Klankosova.tv



