Specialja cakton datën e shpalljes së aktgjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Gjykata Speciale ka caktuar 16 shtatorin, si datë për shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, raporton Gazeta Blic.

Në njoftim thuhet se seanca do të mbahet nga ora 10:00.

Njoftimi i plotë:

Trupi Gjykues në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ka caktuar datën për shqiptimin publik të Aktgjykimit më 16 shtator 2026, në orën 10:00 paradite.

Trupi Gjykues shpjegoi se, në përputhje me Rregulloren, kishte gjykuar që zgjatja e mëtejshme e afatit ishte absolutisht e domosdoshme për shkak të kompleksitetit të çështjes dhe sasisë së provave që Trupit Gjykues i duhet të shqyrtojë.

Trupi Gjykues mori dëshmi dhe prova nga rreth 270 dëshmitarë (me gojë dhe me shkrim), pranoi 5467 prova materiale dhe transkripti i gjykimit ka 29.238 faqe.

Trupi Gjykues gjykoi se kjo zgjatje e afatit përligjej nga nevoja për të garantuar një vlerësim të arsyetuar, tërësor dhe të drejtë të provave, si edhe nga detyrimi për të dhënë një arsyetim me shkrim që i pasqyron me saktësi ato prova.