Shtyhet fillimi i vuajtjes së dënimit për ish-kryetarin e Karposhit Stevço Jakimovski, në pritje të vendimit gjyqësor

Është shtyrë fillimi i vuajtjes së dënimit me burg për ish-kryetarin e komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski.

Ai ka paraqitur kërkesë për shtyrje më 12 qershor, për arsye shëndetësore.

Gjykatësi për ekzekutimin e sanksioneve, pas pranimit të kërkesës, ka nisur menjëherë verifikimin e dokumentacionit mjekësor të bashkëngjitur. Janë dërguar kërkesa për kontroll në dy institucione private shëndetësore që e kanë lëshuar dokumentacionin, më 15 qershor, si dhe një urgjencë më 26 qershor, ndërsa aktualisht pritet përgjigjja e tyre, njoftojnë nga Gjykata Penale.

Sipas Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve, gjykatësi për ekzekutimin e dënimit ka afat prej 30 ditësh nga pranimi i kërkesës për të verifikuar rrethanat e paraqitura dhe për të marrë vendim.

Deri në marrjen e vendimit, fillimi i ekzekutimit të dënimit shtyhet.