Stabiliteti institucional mbetet kyç për Kosovën në rrugën drejt përfitimeve nga Bashkimi Evropian.
Kështu ka theksuar shefja në detyrë e Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, pasi mirëpriti në Prishtinë Drejtoreshën për Zgjerim të BE-së dhe Fqinjësinë Lindore për Ballkanin Perëndimor, Valentina Superti.
Sipas Palatovës, Kosovës i duhet stabilitet institucional për të përfituar plotësisht nga momentumi i ri i zgjerimit të Bashkimit Evropian, si dhe nga instrumentet mbështetëse të BE-së, përfshirë Planin e Rritjes dhe programin IPA.
“Kosovës i duhet stabilitet institucional për të përfituar plotësisht nga momentumi i ri i zgjerimit të BE-së, Plani i Rritjes dhe IPA”, thuhet në njoftimin e zyrës së BE-së.
Superti ka mbërritur në Prishtinë në prag të takimeve që do të zhvillojë të mërkurën me përfaqësues institucionalë dhe të shoqërisë civile.
Vizita e Supertit zhvillohet në një periudhë kur Bashkimi Evropian po intensifikon angazhimin me vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit të zgjerimit dhe zbatimit të Planit të Rritjes për rajonin. /Telegrafi/



